“Kuvend i denjë për kriminelët”, Berisha: Po legalizohen paratë e drogës e kanabisi

Pas pushimeve, deputetët u rikthyen pasditen e kësaj të hëne në Kuvend, për të nisur sesionin e ri.

Ish-kryeministri, Sali Berisha ka folur për mediat jashtë ambienteve të Parlamentit, ku nuk ka kursyer akuzat për qeverinë ndërsa është shprehur se ajo sallë është e denjë për kriminela.

Berisha po akuzoi qeverinë se nuk ka asnjë paketë ndihme financiare në mënyrë që qytetarët të përballojnë krizën.

Pjesë nga fjala e Berishë:

Kjo seancë as pagane nuk ishte, asnjë nen apo ligj për të ndihmuar qytetarët shqiptarë Edi Rama thirri parlamentin në ditën e nderimit të Shën Terezës, ditë e cila inspiron më shumë se çdo gjë tjetër, mëshirë, dhembshuri dhe ndjeshmëri ndaj atyre që janë në vuajtje dhe nevojë. Unë mund të ju them se sot kjo seancë, të thuash që ishte pagane, i turpëron paganët. Në një listë të gjatë ligjesh dhe vendimesh, nuk kishte absolutisht asnjë rresh të vetëm, nen apo vendim të vetëm për qytetarin shqiptar.

Rikujtoj se vetëm dy ditë më parë, jo qeveria gjermane e cila dha 45 miliardë euro për qytetarët e saj, nuk e marr këtë shembull, por qeveria e Kosovës akordoi për qytetarët e saj 100 euro për çdo pensionist. Akordoi 100 euro për çdo student, 100 euro për çdo punonjës të ndërmarrjeve publike. 50 euro për çdo punonjës të administratës publike dhe dyfishoi fiks ndihmën ekonomike. E tëra kjo për të përballuar çmimet që sot në Kosovë, duke filluar nga nafta dhe të gjitha produktet bazë janë 30% më të ulëta se në Shqipëri. Kurse ky parlament nuk ka asnjë vendim asnjë nen, ligj, për të mbështetur qytetarët shqiptarë në nevojë, në këtë periudhë që po vidhen në mënyrë të tmerrshme, duke shfrytëzuar edhe rritjen e çmimeve me bordet komuniste të Edi Ramës.

Ky parlament është i denjë për krimin, nuk ekziston asnjë interes më minimal për të mbështetur qytetarët, por janë këtu për t’i vjedhur. Ato para që fitohen nga rritja e çmimeve u kalojnë klientëve të qeverisë. Parlamenti është kujdesur në maksimum që krimi të triumfojë në ekonominë shqiptare. Ligji për amnistinë fiskale për të cilin flet me të madhe Edi Rama, ligji për dhunimin e mediave ishte në rend dite, ligji për drogën, për kanabisin gjithashtu. ka një kujdes të veçantë që gjithçka të sanksionohet me ligj, krimi ka kapur shqiptarët e ekonominë e këtij vendi. Shqiptarët do t’i japin përgjigjen e merituar këtij vendi me protesta të fuqishme./albeu.com