Këto janë kushtet për daljen nga greva në arsim
Menaxheri i financave në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri,​ ka thënë se greva në arsim mund të ndalet nëse bëhet tërheqja e projektligjit për pagat ose ulja e vlerës së koeficientit.

Sipas Ymerit, procedura më e mirë dhe më e shpejtë që nxënësit t’u kthehen bankave shkollore është tërhiqja e projektligjit me qëllim që të përmirësohet ai, ose kursimi i 54 milionë eurove përmes uljes së koeficientit në 220 euro.

“Procedura më e mirë për të filluar mësimin është tërheqja e ligjit. Kryeministri Mustafa e pat dërguar në Kuvend dhe ne edhe atëherë patëm reaguar. Nëse ligji tërhiqet për t’u përmirësuar, të gjitha sindikatat tjera së bashku me qeverinë do të ulemi dhe të bëjmë ligjin e ri”, ka thënë Ymeri në KTV.

“Varianti tjetër është ulja e vlerës së koeficientit. 239 euro është momentalisht, ndërsa kemi bërë kërkesë për 220, për t’i kursyer 54 milionë euro, këto milion i plotësojnë kërkesat e SBASHK-ut. Kërkesa e SBASHK-ut është diku 32 milionë euro”, ka shtuar ai.

Menaxheri i financave të SBASHK-ut ka thënë se në bazë të raporteve, sot një shkollë në Deçan ka tentuar të mbajë mësim me orar të shkurtuar, ndërsa këtë e ka quajtur presion që të thyhet greva e arsimit.

“Nuk ka pasur përçarje sepse janë kërkesa të mësimdhënësve, përkundër presioneve ata po vazhdojnë grevën. Presioni më i madh ka qenë në Deçan. Edhe në komunat tjera ka pasur presion me qëllim që ta thyejnë grevën”, ka thënë veç të tjerash ai.


Shtuar më 22/01/2019, ora 19:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori