Kërkohet shtyrja e ligjit për makinat e përdorura
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me anë të një komunikate për media shpreh shqetësimin lidhur me ndryshimin e Ligjit nr. 05/L-132 mbi Automjetet, respektivisht ndryshimin e dispozitave me të cilat lejohet importimi i automjeteve më të vjetra se dhjetë vite, pavarësisht thirrjeve nga Oda Ekonomike Amerikane dhe shoqatat e tjera të biznesit kundër kësaj iniciative.

“Oda Amerikane beson se ligji është në kundërshtim me përpjekjet e promovuara për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të ndërmarra brenda Bashkimit Evropian për reduktimin e emetimeve të gazrave të liruara nga automjetet e lehta dhe të rënda”, thuhet në komunikatë.

Oda Amerikane beson se iniciativat dhe ndryshimet e këtyre përmasave që kanë implikime të gjera në mjedis, siguri në trafik dhe shëndet, duhen diskutuar më gjerësisht, ndërsa anëtarët e Kuvendit duhen marrë parasysh rëndësinë e një qasjeje më gjithëpërfshirëse vendimmarrëse.

“Oda Amerikane rekomandon shtyrjen e ndryshimit të ligjit, deri në publikimin e të gjeturave të vlerësimit të shkaktarëve të ndotjes në vend, proces ky tashmë i iniciuar nga Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor me ekspertë japonezë”.

Oda Ekonomike Amerikane, edhe një herë përsërit thirrjen e saj ndaj politikëbërësve që të reflektojnë dhe kuptojnë rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me sektorin privat dhe shoqërinë civile, si mënyra e vetme që siguron se ligjet dhe aktet e tjera ligjore janë në shërbim të rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve.
Shtuar më 16/07/2018, ora 14:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori