Kërkohet ndryshimi i Ligjit për festat
Tre vjet pas miratimit të Ligjit për festat zyrtare, kanë filluar të shtohen zërat për ndryshimin e këtij ligji, përkatësisht plotësimin e tij me Festën e Flamurit, ose 28 Nëntorin, ditën kur është shpallur pavarësia e Shqipërisë.

Ndryshimi i statusit të Festës së Flamurit, nga jozyrtare në festë zyrtare, nga deputetët e Kuvendit të Kosovës shihet si veprim i domosdoshëm, i cili duhet të ndodhë sa më shpejt.

Duke iu referuar 28 Nëntorit të këtij viti, festë kjo e cila në Kosovë është festuar sikurse në Shqipëri, në shumë qytete dhe me aktivitete të shumta, ligjvënësit shprehen të sigurt se është vullneti i qytetarëve të Kosovës që Ditën e Flamurit ta fusin në kalendarin e festave zyrtare.

Madje, për Festën e Flamurit para disa ditëve është prononcuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili ka thënë se duke e lënë këtë festë jashtë ligjit të festave zyrtare “Kosova i ka hyrë në hak 28 Nëntorit”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, thotë se shumica e ligjeve që dalin nga Pako e Ahtisarit janë ligje që kanë kaluar pa vëmendjen e duhur, prandaj, sipas tij, në të ardhmen duhet të plotësohen.

“Njëri nga ato ligjet që ndoshta duhet të plotësohet është edhe Ligji i festave zyrtare, pra me festën e 28 Nëntorit dhe normalisht kjo të jetë festë zyrtare”, thotë Grabovci, duke shtuar se është mirë për Kosovën që ligjet që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit nuk janë të miratuara përgjithmonë, por se ato mund të ndryshohen.

I pyetur nëse Grupi Parlamentar i PDK-së do ta marrë nismën për ta ndryshuar këtë ligj, ai ka thënë se deputetët e partisë më të madhe në vend do të angazhohen që ta krijojnë një konsensus, në mënyrë që ligjvënësit kosovarë ta tejkalojnë secilën sfidë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, i cili drejton Komisionin Parlamentar për Legjislacion, thotë se secili ligj mund të ndryshohet, por paraprakisht për këtë duhet të merret iniciativa përkatëse.

“Nuk mund ta paragjykoj votën e deputetëve. Teknikisht është e mundur, e sa i përket asaj politike, mbetet të shihet se cilat janë qëndrimet e grupeve parlamentare edhe të deputetëve individualisht”, thotë Gashi, duke shtuar se LDK-ja ende nuk ka diskutuar dhe nuk ka marrë qëndrim në raport me këtë çështje.

Ai thekson se në momentin që do të trajtohet ndryshimi i ligjit, Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrë qëndrim të cilin edhe do ta përcjellë në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Alma Lama, thotë se kjo lëvizje e ka në program të saj ngritjen sa më lart të Festës së Flamurit, ndërsa akuzon kryeministrin Hashim Thaçi se nuk ka lejuar që kjo festë të jetë në kalendarin e festave zyrtare, për çka, sipas saj, shefin e qeverisë do ta gjykojë historia.

“Në rast se kjo qeveri e ka në plan të marrë ndonjëherë parasysh vullnetin e popullit të cilin e udhëheq, Ligji për festat zyrtare duhet te ndryshojë dhe të plotësohet me Festën e Flamurit, pasi që shqiptarët janë nëntëdhjetë e pesë për qind e popullsisë dhe nuk mund të barazohen me komunitete që kanë një përqindje të vogël në shoqërinë tonë”, thotë Lama.

Edhe deputeti dhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi thotë se kjo parti është e gatshme ta mbështesë ndryshimin e ligjit, i cili sipas tij duhet gjithsesi që të ndryshohet, meqenëse, siç thotë ai, është bërë për ngutë.

“Ne edhe më herët, kur janë bërë simbolet dhe festat kemi deklaruar se 28 Nëntori duhet të hyjë si festë kombëtare, meqë shqiptarët gjithmonë e kanë festuar, pavarësisht nga situatat që i kanë pasur”, thotë Isufi .

Sipas tij, ekziston mundësia që AAK-ja ta marrë iniciativën për ndryshimin e ligjit, edhe pse për këtë ai thotë se nuk është diskutuar në organet e partisë.

Shtuar më 01/12/2011, ora 11:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori