Kërcënohet Lëvizja “Vetëvendosje!”
Pëlqej
Vetëvendosje
Lëvizja “Vetëvendosje!” ka njoftuar përmes një komunikate për incidentin që ndodhi dje në Abri të Drenasit. “Sot, më 25 nëntor 2010, ka ndodhur incidenti i parë elektoral – në prag të një krimi. Ndërkohë që përfaqësues të Lëvizjes “Vetëvendosje!” po organizonin takimin me anëtarë e mbështetës të kësaj lëvizje në fshatin Abri, në komunën e Drenasit, ata janë kërcënuar haptazi prej disa njerëzve, të cilët jemi duke i identifikuar, e të cilët dyshojmë se u përkasin strukturave të pushtetit aktual”, thuhet në fillim të komunikatës.

“Këta njerëz pasi kanë kërcënuar në telefon përfaqësuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje!” në atë zonë, kanë penguar zhvillimin e tubimit, duke mos lejuar afrimin e anëtarëve dhe mbështetësve të Lëvizjes “Vetëvendosje!” në vendin e paracaktuar për zhvillimin e aktivitetit. Grupi i personave kërcënues nuk ka hezituar të jetë prezent në vendngjarje, dhe kur ka mbërritur në vend përfaqësia e Kryesisë së kësaj Lëvizje, bashkë me aktivistin dhe kandidatin Visar Ymeri.

Lëvizja “Vetëvendosje!” është duke verifikuar identitetet e kërcënuesve, si dhe për pozicionimin e tyre politik e strukturor. Ne zotohemi që do t’i ndjekim rastet e tilla pa asnjë tolerancë, në mënyrë ligjore, por edhe me kurajo qytetare. Lëvizja “Vetëvendosje!” ka treguar në historinë e saj se nuk trembet përballë kërcënimeve që mund të vijnë nga cilido pushtetar arrogant, apo nga lakenjtë e tyre. I këshillojmë këta “guximtarë” të heqin dorë nga praktika të tilla, të cilat do të kenë efekt boomerang për vetë ata”, vazhdon komunikata.

“Jemi të vendosur të mbrojmë me çdo mjet, e me çdo kusht vullnetin e popullit të Kosovës, jemi të vendosur të çojmë deri në fund misionin që na kanë dhënë mbështetësit tanë. Çdo kërcënim ndaj secilit do të konsiderohet si kërcënim ndaj të gjithë aktivistëve të Lëvizjes, dhe çdo rast i tillë dëmton procesin zgjedhor që i përket qytetarëve të Kosovës”, përfundon komunikata.
Shtuar më 27/11/2010, ora 14:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori