Kërcënimi i fundit i ndërkombëtarëve për Kosovën
Pëlqej
Bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje edhe një herë që të shuhen përpjekjet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Një ditë para se Projektligji për Zhbërjen e kësaj Gjykate të dalë në Kryesinë e Kuvendit ndërkombëtarët kanë apeluar që të hiqet dorë nga çfarëdo ideje për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, shkruan sot Gazeta Zeri.

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në një përgjigje dhënë “Zërit” gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar se tentimi për zhbërjen e Speciales rrezikon dukshëm raportet e Kosovës me BE-në. Edhe Ambasada e SHBA-së në Kosovë, ajo Gjermane dhe ajo Norvegjeze, kanë kërkuar që nisma e 43 deputetëve të Kuvendit për ta zhbërë Gjykatën Speciale, të braktiset përfundimisht.

Meqë Kryesia e Kuvendit kishte dështuar ta mbajë mbledhjen më 22 dhjetor 2017 për ta caktuar seancën e jashtëzakonshme për ta shfuqizuar këtë Gjykatë, ajo do të mblidhet gjatë ditës së nesërme (ku në rend dite do të jetë edhe Projektligji për Zhbërjen e Dhomave të Specializuara), shkruan Zeri.

BE: Përpjekjet për shfuqizimin e Speciales dëmtojnë raportet Kosovë - BE

Bashkimi Evropian ka kërkuar që të tërhiqet iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Në një prononcim për gazetën “Zëri” Zyra e BE-së në Kosovë ka thënë se për një gjë të tillë BE-ja ka bërë thirrje qysh në momentin kur kjo nismë është bërë publike (22 dhjetor të vitit të shkuar).

Zyra e BE-së tutje ka paralajmëruar se çdo përpjekje për ta zhbërë Gjykatën Speciale i rrezikon raportet mes Kosovës e Bashkimit Evropian.

“Në vitin 2015 Kosova mori një angazhim të qartë me BE-në dhe me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare për t’i themeluar Dhomat e Specializuara. Për BE-në kjo tregoi angazhimin e plotë të Kosovës ndaj sundimit të ligjit.

Çdo përpjekje për ta shfuqizuar ose për ta ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara do ta dëmtonte seriozisht një angazhim të tillë dhe do ta rrezikonte punën e përbashkët të BE-së në Kosovë mbi sundimin e ligjit të bërë viteve të fundit. Prandaj, kjo do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në”, thuhet në këtë përgjigje.


Shtuar më 16/01/2018, ora 08:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori