Kelmendi: Nëse Presidenti Thaçi ka bërë shkelje duhet të shkarkohet
Ngjarjet e ditëve të fundit që kanë ndodhur në Kosovë, duke nisur nga miratimi i Demarkacionit, arrestimi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriq si dhe arrestimi dhe deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova, kanë bërë nxitur edhe më tepër akuzat në drejtim të presidenti Hashim Thaçi.

Derisa partitë e koalicionit qeverisës, veprimet e fundit i kanë arsyetuar se kanë kryer punën e tyre, partitë opozitare kanë akuzuar Thaçin, si njeriun kryesor për zhvillimet e fundit.

Për këtë, opozita ka kërkuar nga dorëheqjen apo shkarkimin e presidentit Thaçi. Kuvendi ka krijuar një komision hetimor, lidhur me deportimin e shtetasve turq.

Po ashtu, opozita po e shqyrton mundësinë për ta dorëzuar lëndën në Gjykatën Kushtetuese, për të parë nëse presidenti ka tejkaluar kompetencat e tij, duke shkelur Kushtetutën e Republikës.

Lajçi: Thaçi meriton shkarkimin

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, deputeti i kësaj partie Ali Lajçi, ka pohuar se Thaçi e meriton shkarkimin, mirëpo duhet vepruar në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka akuzuar presidentin, se përmes skandaleve të fundit, ka krijuar imazh të keq për Kosovën.

“Përpjekja jonë do të jetë kushtetuese e pastaj në bazë të lëndës kjo do të mund të ketë epilog nëpërmjet Kushtetutës. Atëherë zgjidhet rruga dhe faktikisht ne do të ishim për shkarkimin e tij pas këtyre skandaleve që kanë krijuar një imazh të keq për Kosovën”, është shprehur deputeti Lajçi.

Ai ka thënë, se ata do të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shkarkimin e Thaçit.

“Do të shikojmë se si do të rrjedhin gjërat, sepse Gjykata Kushtetuese është ajo e cila merr një vendim, për arsye se tash presidenti është pjesë e Kushtetueses e jo e Qeverisë apo ndonjë institucioni tjetër. Ai e meriton shkarkimin, por duhet shkuar në baza të Kushtetueses”, ka shtuar deputeti i Vetëvendosjes.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se nëse Gjykata Kushtetuese konfirmon se Thaçi ka bërë shkelje, ai duhet të shkarkohet me automatizëm.

“Situatat e shkarkimit të presidentit janë të njohura. Nëse presidenti ka bërë shkelje kushtetuese, është e drejtë e çdo grupi parlamentar të deputetëve që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, dhe në momentin që Gjykata Kushtetuese konfirmon se ka pasur shkelje kushtetuese, dihet se çfarë automatizmi nxjerr ajo”, ka deklaruar deputeti Ramiz Kelmendi.

Procedura e shkarkimit

Ai ka konfirmuar se vendimin për këtë çështje, do ta marrë Kryesia e LDK-së dhe se deputetët do të veprojmë sipas vendimit të saj.

“Për çështje të ndjeshme e që janë me rëndësi të veçantë, normalisht se vendos Kryesia e LDK-së dhe ajo bartet tek Grupi Parlamentar dhe ne pastaj veprojmë konform vendimit të Kryesisë së LDK-së”, ka thënë Ramiz Kelmendi.
Shtuar më 06/04/2018, ora 08:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori