KEK-u dhe Ujësjellësi, të shqetësuar për debatin mbi Ujmanin
Pëlqej
Drejtuesit e dy kompanive publike, KEK-ut dhe Ujësjellësit Rajonal Prishtina mbeten të shqetësuar nga debati i fundit për shkëmbim të territoreve me Serbinë.

Këto dy kompani dhe fabrika Ferronikeli furnizohen drejtpërdrejt me ujë nga liqeni i Ujmanit, dhe asnjëra prej tyre nuk mund të funksionojë pa këtë ujë.

Për këtë drejtori i përgjithshëm i Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Ilir Abdullahu kërkon që liqeni i Ujmanit të ruhet, sepse është pjesë e Kosovës, por gjithashtu thotë se nuk ka asnjë alternativë tjetër për furnizim me ujë në fabrikën e Shkabajt e cila ka kushtuar hiq më pak se 32.5 milionë euro, mjete këto të taksapagueseve kosovarë, nga Komisioni Evropian dhe Banka Gjermane.

Ai ka thënë për KosovaPress se rëndësia e Ujmanit për kompaninë, shtetin, por edhe për popullatën është shumë e madhe, sepse bënë furnizimin me ujë për Mitrovicë, Skenderaj, Drenas dhe tash pjesën e Prishtinës.

Mirëpo, përveç furnizimit me ujë të pijes që bënë për konsumatorë të shumtë, liqeni i Ujmanit bënë edhe furnizimin industrial për termoelektranat e dhe për Ferronikelin, njëkohësisht shërben edhe për ujitjen e mijërave tokave bujqësore në vend.

“Ky liqe është pasuri e Kosovës dhe ashtu duhet edhe të mbetet”, ka thënë Abdullahu.

Drejtori i Ujësjellësit ka theksuar se tema për shkëmbim territoresh është shqetësuese, sepse kjo kompani tash për tash merr 500 litra ujë në sekondë nga liqeni Ujmanit.

Abudllahu ka thënë se fabrika e ujit në Shkabaj me ujin e Ujmanit ka zgjidhur problemin e ujit të pijshëm në Prishtinë dhe më gjerë.

Ndërsa, Skënder Bucolli drejtor në Zyrën për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitetin në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) ka thënë për KosovaPress, se liqeni i Ujmanit ishte ndërtuar për furnizim me ujë këtë korporatë dhe pa këtë liqe nuk mund të funksionojnë termocentralet e KEK-ut.

“Na lejoni të ju njoftojmë se sa i përket furnizimit të përhershëm të TC Kosova B dhe gjatë periudhave verore të TC Kosova A me ujë, KEK ka kontratë me Iber Lepencin për furnizim me ujë nga liqeni artificial i Ujmanit. Përndryshe, Termocentralet nuk mundë të funksionojnë pa ujë, ndërsa mundësia e vetme reale për furnizim të TC Kosova B është liqeni Ujmanit, i cili edhe ishte ndërtuar për atë destinim”, ka thënë Bucolli.

Ujësjellësi Prishtina dhe KEK-u janë të kontraktuar për shërbimin e ujit me Ndërmarrjen Hidroekonomike “Ibër Lepenc”, por zyrtarë të kësaj të fundit edhe pse janë kontaktuar nga KosovaPress nuk janë përgjigjur lidhur me këtë temë.

Drejtori i Ujësjellësit, Ilir Abdullahu ndër të tjera ka thënë se liqeni i Ujmanit, është një ndër pasuritë më të mëdha të Kosovës, ku janë 9.2 kilometra katrorë të pasqyrës së ujit apo të sipërfaqes së liqenit që gjendet në territorin e Kosovës, ndërsa 2.7 kilometra janë në pjesën e Serbisë.
Shtuar më 01/09/2018, ora 14:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori