Bajram, Ismajl, Faton dhe Ismet
Berisha, të akuzuar për fajde dhe detyrim, janë deklaruar të pafajshëm, në seancën fillestare të së enjtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ilaz Beqiri, katër të
akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për dy veprat penale që u vihen në barrë.
Mbrojtësit e të akuzuarve,
Bajram dhe Faton
Berisha, avokatët Ramiz Krasniqi dhe Bahtir Troshupa, i kanë propozuar gjykatës që tu ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, ndonjërit nga tre të
akuzuarit Bajram, Ismajl dhe Faton
Berisha, të cilët gjenden në këtë masë prej 11 dhjetorit të vitit të kaluar.
“Pasi tre të
akuzuarit janë në arrest shtëpiak dhe nënën e kanë të sëmurë, propozoj që së paku njëri prej tyre të lirohet nga kjo masë, për arsye që të ketë mundësi njëri nga ta të kujdeset për nënën e sëmurë, që së paku të ketë mundësi ta dërgojë në spital”, tha avokati Krasniqi.
Ndërkaq, avokati Troshupa tha se të dëmtuarit në këtë rast kishin dhënë lirshëm deklarata në prokurori, pa prezencën e avokatëve, dhe se asnjëri nga të
akuzuarit nuk ka më arsye që të ikë apo të largohet nga shtëpia.
Mirëpo, kërkesat e avokatët për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak ndaj akuzuarve
Bajram, Ismajl dhe Faton
Berisha, janë refuzuar nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti.
Gjykatësi Hoti, ka njoftuar të
akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre se në afat prej 30 ditësh mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre që të paraqesin kundërshtimet e tyre lidhur me aktakuzën dhe me provat e saj.
Shqyrtimi i dytë pritet të mbahet më 19 prill 2018, në ora 14:30.
Sipas aktakuzës,
Bajram, Ismajl, Faton dhe Ismet
Berisha, nga marsi 2015, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit, Besim Llugiqit, dhe në bazë të marrëveshjes paraprake edhe me të pandehurin, Nysret
Berisha i cili gjendet në arrati, kishin dhëne para me fajde.
Në aktakuzë, thuhet se i
dëmtuari Llugiqi kishte blerë nga të
akuzuarit dy vetura “Audi A4”, në vlerë prej 80.000
euro, në afat pagese prej dy muajsh, mirëpo i
dëmtuari Llugiqi, pas dy ditëve kishte arritur që t’ua paguaj 45.000
euro, ndërsa shumën e mbetur nuk ka arritur që t’ua paguaj brenda dy muajsh.
Kështu, në maj 2015, të
akuzuarit nga
dëmtuari kishin kërkuar kamatën e fajdesë javore, deri në 3.000
euro në javë, ku deri në muajin janar të vitit 2016, i
dëmtuari në emër te fajdesë të akuzuarve u kishte paguar shumën prej 30.000
euro.
Ndërsa, që nga janari 2016 e deri në korrik 2017, të
akuzuarit e kishin detyruar të dëmtuarin, që nga ta, të blejë tetë vetura të llojeve të ndryshme, të gjitha në shumën prej 280.000
euro, të cilat vetura Llugiqi i kishte shitur me çmime shumë më të ulëta dhe të gjitha ato mjete ua kishte dhënë të akuzuarve.
Po ashtu, në korrik 2017, i njëjti detyrohet t’ua jep edhe banesën që gjendet në Fushë Kosovë, në sipërfaqe prej 70m2, duke bërë kompensimin e kamatave në shumë prej 25.000
euro dhe këtë banesë të pandehurit ia kanë shitur një personi te tretë.
Sipas prokurorisë, shuma e përgjithshme, që të
akuzuarit kishin marrë nga i
dëmtuari në emër të fajdesë kishte arritur shumën prej 50.000
euro, ndërsa nga i
dëmtuari kishin kërkuar
edhe shumën prej 168.000
euro.
Prokuroria tre të
akuzuarit së bashku me Nysret Berishën i cili gjendet në arrati, i ngarkon me veprat penale “fajde” dhe “detyrim”.
Shtuar më 15/03/2018,
ora 16:29