Katër policë të vdekur dhe 200 të tjerë të infektuar me COVID-19 në Kosovë
Kosova ka humbur katër pjesëtarë të policisë nga koronvirusi, ndërsa rreth 200 të tjerë janë aktiv të identifikuar me COVID-19.

Megjithkëtë, Policia e Kosovës që nga muaji mars vazhdon të punojë me orar prej 12-orësh duke u angazhuar për zbatimin e masave mbrojtëse ndaj koronavirusi të caktuara nga qeveria.

Për orarin shtesë pjesëtarët e policisë nuk kompensohen. Ata madje nuk do të kenë mundësi të marrin as ditë pushim si një lloj kompensimi për shkak të zgjatjes së gjendjes së pandemisë.

Kryetarja e Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi-Hoxha në një intervistë për “Zërin” thotë se pjesëtarët e policisë së Kosovës me gjithë angazhimin e madh dhe orarin e stërzgjatur të punës që të zbatojnë masat anti-COVID nuk kompensohen për orarin shtesë me mjete monetare. Kamberi-Hoxha ka thënë se ky është muaji i pestë që Policia po hynë në orarin e stërzgjatur 12 orë.

“Dhe kjo është një ngarkesë jo vetëm psikike, por edhe lodhje fizike sepse tërë pjestarët e Policisë të cilët janë të angazhuar dhe kanë qenë të angazhuar që nga marsi me këtë orar, nuk kanë pasur as të vetmen kohë që t’i kushtojnë rëndësi familjes ose anëtarëve të tjerë të cilët kanë mundur të jenë edhe me sëmundjen e COVIDIT”, ka thënë ajo.

4 mijë pjestarë të policisë janë angazhuar në orarin 12 orësh

Zëri: Janë mijëra policë të angazhuar me orar të stërzgjatur. Ju kompensohen orët shtesë policëve apo jo?

Kamberi-Hoxha: Edhe pse në Policinë e Kosovës ka shumë orë shtesë, paraprakisht te në paguhen vetëm 60 orë shtesë të çdo pjesëtari, ndërsa pjesa e tjetër e mbetur e orëve kompensohet me ditë pushimi. Mirëpo, meqenëse është gjendje pandemie dhe është orari 12-orësh, është e pamundur ato orë të kompensohen me ditë të lira, ashtu siç e parasheh edhe parimi dhe procedura në kuadër të Policisë së Kosovës.

Zëri: A mjafton pushimi, apo më e udhës do të ishte të kompensohen ashtu sikurse ndodhi mjekët, pra qeveria atyre u ndau 300 euro për orarin shtesë?

Kamberi-Hoxha: Gjatë kësaj kohe kemi pasur kontakte edhe para se të merret ky vendim për shëndetësinë me gjithë krerët e shtetit. Jemi drejtuar edhe me kërkesa sepse nëse diçka e tillë është bërë për puntorët shëndetësor dhe për mjekët të cilët faktikisht po angazhohen gjatë kohës së pandemisë, pse të mos bëhet edhe për Policinë e Kosovës. Ne deri para një jave kemi pasur 4 mijë pjestarë që kanë qenë 12 orë dhe kanë qenë në shoqërim të Inspektoratit të shëndetësisë gjatë kohës së punës, mirëpo edhe gjatë detyrave të cilat kanë qenë vendime të policisë. Kemi kërkuar që urgjentisht të zgjidhet ky problem edhe me këtë shtesën prej 300 eurove dhe për pjesëtarët e Policisë të cilët janë në detyrë 12 orësh edhe pastaj çështja e kompensimit të ushqimit kështu që këto dy kërkesa kanë shkuar në Qeverinë e Kosovës dhe akoma nuk e dimë se a do të realizohen apo jo, nuk kemi asnjë informatë rreth kësaj. Sot gjatë ditës do ta kemi edhe një takim me zëvendës kryeministrin Besnik Tahiri për çështje të kërkesave tona dhe mbesim me shpresë që këto dy kërkesa të realizohen sepse është punë shumë e mundimshme kur pjesëtarët e Policisë punojnë 12 orë dhe nuk e kanë aspak çështjen e ushqimit të siguruar. Pasi në mjekësi është me lehtë, ata ndoshta munden ta marrin ushqimin dhe të ushqehen në ambientin e brendshëm, mirëpo policisë nuk iu lejohet të mbanë çanta dhe qese të ndryshme gjatë angazhimit të orëve të punës ku i kanë. Megjithëse janë kërkesa shumë jetike dhe urgjente, kemi një shpresë të vogël se do të realizohen edhe për pjesëtarët e Policisë edhe çështja e ushqimit edhe e shtesës. Mirëpo, nëse kjo nuk ndodh atëherë masat do të jenë shumë më radikale dhe ndoshta do të shkojmë edhe deri në përfundim edhe në protesta sepse është lodhje e madhe.

Meqenëse Sindikata ka shumë kërkesa, këto kanë qenë dy kërkesa që janë më urgjente që të realizohen dhe të jemi të barabartë sepse ne po e quajmë shëndetësinë si heronj dhe e dimë se ata kanë një obligim dhe ndërgjegje shumë më të lartë, mirëpo më besoni se Policia është vija e parë e frontit sepse gjithmonë ballafaqohet me probleme të tilla qoftë edhe në qytet apo në patrullat e policisë që i kemi në spitalet rajonale në QKUK apo kudo që janë është pjesa e vijës së parë të rrezikut. Andaj duhet që qeveria të ketë konsideratë për këto kërkesa dhe për pjesëtarë të Policisë që të ju ofrojë të paktën një pushim pesë ditorë apo 10 ditorë secilit nga ata, mirëpo të mos mbesin edhe punët e policisë të pa përfunduara sepse është misioni i yni dhe duhet të jemi në gjendje gatishmërie për çdo qytetar të Kosovës.

Zëri: Sa policë janë të infektuar me COVID-19 dhe sa prej tyre kanë vdekur gjatë kësaj kohe?

Kamberi-Hoxha: Deri më tani ne i kemi humbur katër pjesëtarë të policisë, ndërsa rreth 200 të tjerë javën e kaluar janë identifikuar me COVID-19 që janë aktiv . Gjatë kësaj jave ka pasur edhe ndonjë raste i cili ka mundur me qenë me koronavirus. Në disa rrethana dikush ka simptome të cilat po ju drejtohen mjekësive familjare dhe qendrave të infektimit dhe një pjesë tjetër e cila është që nuk ka simptoma dhe nuk po e kuptojnë. Në përgjithësi numri i të infektuarve është i madh.

Policia e Kosovës e vetmja në rajon dhe në botë që nuk e gëzon të drejtën e sigurimit shëndetësor dhe atë aksidental

Zëri: Akoma Policia e Kosovës nuk ka sigurim shëndetësor. Ka raste kur ata kanë ndërruar jetë nga kanceri, a marrin familjet e tyre të holla pas vdekjes së tyre?

Kamberi-Hoxha: Sigurimi shëndetësor dhe aksidental ka qenë temë gjithmonë e Sindikatës, që nga 2005 kur është formuar Sindikata e Policisë, misioni ynë ka qenë që gjithmonë të kemi prioritet shëndetin e policit. Kërkesa për sigurim shëndetësor dhe aksidental mos të them që 10 vite është tabu dhe besojë që është në të gjitha tavolinat e krerëve të shtetit sepse gjithsecilit ju kemi drejtuar për këto dy sigurime asnjëherë nuk është realizuar dhe është gjendje shumë e rëndë shëndetësore në policinë e Kosovës, meqenëse është edhe mungesa e ligjit për pension të parakohshëm e cila do ta zbuste pak situatën që një pjesë të pjesëtarëve do të shkonin në pushim të pensionimit dhe një pjesë tjetër ndoshta do ishte më e lehtë për tu rehabilituar. Kjo asnjëherë nuk është realizuar, ne kemi kërkuar ose njërën ose tjetrën.

E dini që ka shumë pjesëtarë të vrarë në detyrë dhe ata pjesëtarë e gëzojnë një 80% të pagës bazë që e ka policia do të thotë një shtesë për të gjitha këto familje, ajo shtesë nuk është e mjaftueshme, është shtesë shumë e vogël, mirëpo ky është vendim edhe pse Sindikata gjithmonë ka qenë pranë tyre.

Kjo duhet të rregullohet me organet qeveritare me një vendim të përgjithshëm dhe jo me vendime të tilla siç faktikisht i marrin tani, përndryshe sigurimi shëndetësor jo që është i nevojshëm, por është tejet i nevojshëm dhe ai aksidental dhe ai shëndetësor, duke e pasur parasysh numrin e personave të cilët çdo ditë lëndohen në detyrë apo çdo ditë kemi probleme me kardiovaskulare, ortopedike, probleme të ndryshme të natyrës së punës dhe kjo ka mbet mangu tani në këto rrethana kujtdo që t’i drejtohesh prioritet ka marrë çështja e rimëkëmbjes ekonomike dhe çështja e pandemisë, kështu që për momentin edhe ne kemi heshtë, ne vetëm në vitin e kaluar kemi dërguar pesë kërkesa të gjithë krerëve për sigurimin shëndetësor dhe aksidental dhe për kërkesa tjera, mirëpo asnjëherë nuk ka hasë në atë veshin e sigurt që të paktën dikush ta bëjë një zgjedhje të tillë. Jemi policia e vetme në rajon dhe në botë që nuk e gëzojmë të drejtën e sigurimit shëndetësor dhe atë aksidental.

Zëri: Zonja Kamberi, ndoshta po kthehemi prapë te pagesa, Policisë së Kosovës po vazhdon tu paguhet ndërrimi i natës vetëm me pesë euro, pse nuk është bërë rritje?

Kamberi-Hoxha: Kjo pagesë ka kohë që është duke u paguar kështu, nuk janë duke u marrë parasysh edhe ligji i punës i cili e proceson pagesën e ndërrimit të natës prej 30%. Kemi pasur kontakte të vazhdueshme që të bëjmë përmirësim tek kjo. Është një pakënaqësi shumë e madhe te pjesëtarët e policisë pse paguhen 5 euro kjo ka qenë pakënaqësi edhe e jona që pse Policia e Kosovës kur ekziston edhe ligji i punës, i cili e thotë se 30% e pagës bazë që duhesh të paguash ndërrimin e natës, pse nuk është bërë kjo pagesë prej asaj?

Kohëve të fundit kjo ka çuar edhe një shqetësim shumë më të madh sepse disa kategori po paguhen 18 deri në 35 euro sipas informatave që i kemi gjë që nuk është e drejtë për pjesëtarët e policisë të paguhet pesë euro. Jemi në bashkëpunim me menaxhmentin e policisë për zgjedhjen e këtij problemi sepse ky është problemi ynë i brendshëm, nuk është problem që mund ta zgjedh qeveria ose dikush tjetër. Organet qeveritare mund vetëm të sigurojnë mjetët e nevojshme për kategoritë e policëve që punojnë me ndërrime të natës.

Në takimin e fundit që kemi pasur me menaxhmentin e Policisë është premtuar që së shpejti do të fillon pagesa e ndërrimit të natës konfrom të ligjit të punës i cili e parasheh 30% të pagës bazë.

Zëri: Masat e marra nga qeveria për mospërhapjen e pandemisë COVID-19, dita ditës vetëm siç mund t’i quajmë po bëhen më rigoroze, ku mbajtja e maskës, higjiena dhe distanca janë të detyrueshme që çdo qytetar t’i respektojë ato. Shumica e njerëzve nuk po i respektojnë këto masa, sa po e kanë të vështirë policia e Kosovës në këtë aspekt dhe a ka pasur ndonjë incident në këtë rast?

Kamberi-Hoxha: Policia e Kosovës është në shoqërim të inspektorëve shëndetësor të cilët faktikisht e kanë për obligim përkujdesjen dhe inspektimin e qytetarëve. Qytetarët nuk janë duke e respektuar përkujdesjen e distancës apo mbajtjen e maskës dhe vendimeve të tjera të cilat i ka sjell qeveria gjatë kohës së pandemisë. Policia ka hasur në vështirësi, mirëpo të them të drejtën ndonjëherë është edhe vështirë ta dënosh popullin tënd në këtë kohë, kështu që gjithmonë kemi pasur konsideratë sepse në këto momente preket edhe xhepi i çdo qytetari, i cili është në një rrethanë të jashtëzakonshme e kushteve ekonomike për secilin. Kemi hasur në rezistenca, Policia është duke e bërë punën është duke e respektuar vendimin jo vetëm nga ana e policisë së Kosovës, mirëpo edhe vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, kështu që deri më tani nuk kemi dëgjuar që ka pasur ndonjë incident sa i përket ballafaqimeve, në përjashtim që ka pasur tek këtu raste.

Zëri: Te qytetarët po flitet se nuk ekziston nen apo ligj për shqiptimin e dënimeve të personave që nuk respektojnë masat, sa është e vërtetë një gjë e tillë?

Kamberi-Hoxha: Qytetarët ndoshta nuk janë të njoftuar, mirëpo ekziston një rregull dhe një vendim me të cilën këto vendime po shqiptohen, askush nuk mundet të bëjë diçka në krye në veti sepse ne kemi një shtet dhe ekzistojnë disa parime dhe rregullore shtetërore dhe disa ligje, mirëpo në këto rrethana ne nuk kemi qenë të përgatitur për çështjen e pandemisë për të shqiptuar këto dënime. Unë vet kam marrë pjesë gjatë kësaj jave në projektligjin për pandeminë. Në Kuvend besoj që do të kaloj dhe aty do të jetë pjesa e asaj çështja e shqiptimit të masave dënuese. Mirëpo, megjithatë Policia e Kosovës çfarë do të ketë apo nuk ka vendim, ajo duhet t’i zbatojë vendimet e qeverisë, në të kundërtën nuk më ka ra rasti ta shoh atë rregullore mirëpo i kam parë formularët të cilët policia i mbush gjatë kohës së orarit të punës sa i për ketë shqiptimit të dënimeve për mos mbajtjen e maskës.
Shtuar më 15/08/2020, ora 17:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori