Aleanca e NATO-s dhe demokracisë kundër autokracive

Nga Gianni Vernetti “La Repubblica

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Vizita e fundit e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jean Stoltenberg në Kore dhe Japoni, përuroi një fazë të re të Aleancës Atlantike, për t’u përfshirë gjithnjë e më shumë në rajonin e Indo-Paqësorit. Takimet me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol dhe me kryeministrin japonez Fumio Kishida, përbënin një kapitull të rëndësishëm në përcaktimin e një doktrine të re, që duhet të ketë e aftë për të integruar nevojat e sigurisë euroatlantike me ato të Indo-Paqësorit.

Sfidat dhe kërcënimet e përbashkëta që u diskutuan në takime janë të shumta:ndikimi global i pushtimit rus të Ukrainës; sfida sistematike e Republikës Popullore të Kinës, duke filluar që me Tajvanin; kërcënimet asimetrike të Iranit dhe Koresë së Veriut; liria e lundrimit në Indo-Paqësor, ku kalon 2/3 e tregtisë globale.

Misioni aziatik i Stoltenberg, përbën zbatimin e parë në praktikë të konceptit strategjik të NATO-s, i zhvilluar për herë të parë në samitin e Madridit korrikun e vitit të kaluar, ku morën pjesë edhe Koreja e Jugut, Japonia, Australia dhe Zelanda e Re, si për të konfirmuar projeksionin Indo-Paqësor dhe global të vetë marrëveshjes.

Po këto 4 vende aziatike janë gjithashtu pjesë përbërëse e Grupit të Kontaktit të Sigurisë për Ukrainën, i ashtuquajturi “koalicioni Ramstein” (nga emri i bazës ushtarake amerikane në Gjermani ku mbahen takimet), i cili që në fillim të konfliktit ka koordinuar përpjekjet diplomatike dhe luftarake në mbështetje të luftës për çlirimin e Ukrainës nga rusët.

Samiti midis Stoltenberg dhe presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, pati një fokus të gjerë mbi luftën në Ukrainë, veçanërisht pas raporteve nga agjenci të ndryshme të inteligjencës perëndimore dhe aziatike, që kanë konfirmuar mbështetjen e drejtpërdrejtë të Koresë së Veriut për Rusinë me furnizime me raketa dhe armë të tjetra të rënda.

Ligji i Koresë së Jugut, që mund të ndryshojë së shpejti, ndalon furnizimet direkte me armë për vendet në konflikt. Por ai nuk e ka penguar Seulin të firmosë disa marrëveshje ushtarake për të mbështetur shitjen e armëve tek Polonia, një nga vendet më të ekspozuara ndaj furnizimeve ushtarake të Kievit.

Tokio ka dërguar tashmë në Ukrainë rreth 100 dronë komercialë për aktivitete të shërbimeve inteligjente, së bashku me ndihmën “jo vdekjeprurëse” dhe mbrojtëse. Por krahas aktivizmit shumëpalësh të aleancës Atlantike në teatrin Indo-Paqësor, në të njëjtën kohë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd J.Austin nënshkroi një marrëveshje strategjike në Manila me presidentin e Filipineve Marcos.

Ky është një fuqizim i “Marrëveshjes së Bashkëpunimit të Rritur në fushën e Mbrojtjes”, shtylla më solide mbi të cilën mbështetet aleanca midis SHBA-së dhe Filipineve, dhe që parashikon stërvitje dhe një ndërveprueshmëri më të madhe midis dy ushtrive.

 Me marrëveshjen e nënshkruar disa ditë më parë në Manila, u përcaktuan vendet për 4 baza të reja ushtarake jo të përhershme në arkipelag, të cilat do të lejojnë një prani të fortë të përbashkët përpara ishujve Detit të Kinës Jugore. Fjala është për arkipelagët Spratly dhe Paracel, të cilat Kina i ka pushtuar ilegalisht vitet e fundit, duke ndërtuar në to baza të mëdha ushtarake, dhe duke pasur mosmarrëveshje me pothuajse të gjitha shtetet e Azisë Juglindore, duke filluar nga Filipinet dhe Vietnami.

Aktivizmi perëndimor i NATO-s dhe SHBA-së synon forcimin e aleancave në Indo-Paqësorin dhe qetësimin e Tajvanin, Kinës demokratike, dhe një lojtare thelbësore në zinxhirin global të furnizimit me mikroçipa dhe gjysmëpërçues.

Dhe nëse kryetari i ri i Kongresit, republikani Kevin Mccarthy, do të ndjekë së shpejti shembullin e Nancy Pelosi duke shkuar për një vizitë zyrtare në Taipei, një udhëheqës evropian ka thyer një tabu të konsoliduar në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Petr Pavel, presidenti i sapozgjedhur i Republikës Çeke, i telefonoi presidentit të Tajvanit, Tsai Ing-wen, duke u bërë kështu kreu i parë i shtetit evropian që mban marrëdhënie të drejtpërdrejta me liderin e asaj që Pekini e konsideron pak më shumë se sa një provincë rebele.

“Tajvani dhe Republika Çeke, ndajnë të njëjtat vlera të lirisë, demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut – deklaroi Pavel – prandaj ne do të forcojmë partneritetin midis dy vendeve tona”. Mbështetja de fakto e Pekinit për Moskën, e cila krahas “aleancës së pakufishme” që nuk është mohuar asnjëherë nga Xi dhe Putin, saktësisht një vit më parë (4 shkurt 2022), përfaqëson sot daljen gjeo-ekonomike të një Rusie jashtë ligjshmërisë ndërkombëtare, së bashku me furnizimet e luftës të Koresë së Veriut dhe Iranit për Rusinë, po i detyrojnë demokracitë e Indo-Paqësorit dhe demokracitë euro-atlantike të kenë një integrim dhe koordinim gjithnjë e më të madh.

Kjo që po shohim tani, nuk është ende një aleancë formale e plotë. Por shumë rrjete ekzistuese dhe ato në ndërtim (Dialogu Katërpalësh i Sigurisë; QUKUS; Five Eyes) po krijojnë një aleancë globale midis demokracive për të frenuar kërcënimet autokratike në rritje.

Marrëveshja e fundit midis Italisë, Japonisë dhe Britanisë së Madhe për zhvillimin e avionëve luftarakë të gjeneratës së ardhshme, i përshtatet plotësisht këtij projekti. Dhe shumë shpejt parlamentet e Romës, Tokios dhe Londrës do të diskutojnë dhe miratojnë krijimin e një organi të përbashkët ndërmjet tre vendeve, për ta udhëhequr këtë sfidë komplekse shkencore dhe strategjike. /albeu.com


Shtuar 4.02.2023 13:11