Kantrimen: Dialogu, duhet parë me realizëm
Dialogu për çështje praktike mes Kosovës dhe Serbisë pritet të fillojë në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kështu deklaroi zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Tom Kantrimen, ndërsa bëri thirrje që parlamenti i Kosovës të diskutojë me realizëm mbi dialogun e pritshëm. Tom Kantrimen, tha se se në emër të qeverisë amerikane do të marrë pjesë në dialog me statusin e të ftuarit.

“Ne do të jemi të ftuar. Nëse Bashkimi Evropian na kërkon të ndihmojmë, ne do të ndihmojmë. Siç është e zakonshme në diplomaci, ne do të jemi në dispozicion për të folur me të dyja palët për t`i ndihmuar që të gjejnë zgjidhje krijuese. Ne do të jemi aty me ftesë të Bashkimit Evropian dhe ne e respektojmë këtë rol”.

Katrimen tha se Shtetet e Bashkuara kanë besim të plotë te Bashkimi Evropian për caktimin e rendit të ditës dhe ndërmjetësimin e dialogut për arritjen e përmirësimeve reale në jetën e përditshme të qytetarëve si të Kosovës edhe të Serbisë.

Ai bëri thirrje që asnjëra nga palët të mos e shikojë këtë dialog si një negociatë ku ato të luftojnë me ashpërsi për pozitat e tyre. Përndryshe, tha ai, kjo do të ishte në kundërshtim me vetë qëllimin e dialogut. Ne tha zoti Kantrimen, presim që të shohim diskutimin e çështjeve praktike dhe jo politike në këtë dialog.

“Ka patur përpjekje nga të dyja palët për të diskutuar nëse ky dialog duhet ose jo të jetë një dialog rreth statusit. Sipas pikepamjes sonë, çështja e statusit tashmë është vendosur dhe ky është një fakt i njohur. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shprehu opinionin e saj duke afirmuar se statusi i Kosovës nuk mund dhe nuk do të ndryshojë si rrjedhojë e këtij dialogu”, tha Katrimen.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Tom Katrimen, komentoi gjithashtu lidhur me debatin në parlamentin e Kosovës, i cili nuk arriti të dalë me një rezolutë rreth dialogut Prishtinë-Beograd, duke e vënë në vështirësi qeverinë e Kryeministrit Hashim Thaçi.

Zoti Kantrimen nuk i vuri rëndësi kësaj çështje, duke thënë se beson që dialogu do të fillojë sipas parashikimit.

“Mendoj, para së gjithash, se demokracia është e vështirë. Ajo kërkon që njerëzit të shpjegojnë qëllimet e tyre dhe të arrijnë kompromise me të tjerët. Jam i sigurt se parlamenti i Kosovës do të bëjë punën e tij për të debatuar se ç`mund të arrijë në dialog. Nuk dua të ndërhyj në këtë debat por unë besoj me forcë se është e nevojshme që dialogu të zhvillohet sipas planit. Është e nevojshme të zhvillohet me qëllim që të arrijë synimin e Kosovës për vendosjen pa mëdyshje të sovranitetit të plotë në territorin e saj dhe për të fituar njohje të tjera ndërkombëtare, duke përfshirë anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe fillimin e procesit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.”
Dialogu, tha zoti Kantrimen, është me rëndësi kyçe për arritjen e këtyre synimeve.

Ai bëri thirrje që parlamenti i Kosovës të diskutojë me realizëm mbi dialogun e pritshëm me Beogradin. Zyrtari i lartë amerikan tha se bisedimet Prishtinë-Beograd do të zgjasin për aq kohë sa palët të vazhdojnë të demonstrojnë vullnetin politik për të zgjidhur probleme të vështira dhe të arrijnë zgjidhje krijuese.
Shtuar më 08/03/2011, ora 08:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori