Kancelari austriak: Mbështesim çdo zgjidhje me të cilën pajtohen në dialog Serbia dhe Kosova
Kancelari austriak, Sebastian Kurz ka folur për marrëveshjen e mundshme përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës.

Austria do ta mbështesë çdo zgjidhje me të cilën pajtohen në dialog Serbia dhe Kosova, përfshirë edhe korrigjimin e kufijve, ka thënë kancelari austriak, Sebastian Kurz.

Ai për “Tanjug” ka folur për ndikimin e Bashkimit Evropian në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, emërimin e të dërguarit special amerikan për Ballkanin, rrugëtimin evropian të Serbisë dhe tema të tjera.

“Qëndrimi ynë është i qartë, mbështesim çka do që palët merren vesh, edhe mundësinë e korrigjimit të kufijve, nëse në fund kjo parasheh një zgjidhje të përbashkët e cila mund të sjellë stabilitet. Caku duhet të jetë që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen me marrëveshje”, u shpreh Kurz.

Ai ka theksuar se është e rëndësishme që dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës të vazhdojë përsëri në mënyrë që të gjitha temat e hapura të zgjidhen në tavolinën e bisedimeve.

“Është e nevojshme një dinamikë e rë sepse zgjidhja e ardhur nga dialogu është parakusht për pjesëmarrjen e ardhshme të Bashkimit Evropian”, shtoi ai.

Në pyetjen nëse BE-ja ka fuqi për të zgjidhur çështjen e Kosovës dhe nëse kanë ndikim mbi Prishtinën, që nuk ka reaguar ndaj thirrjeve nga Brukseli për heqjen e taksës, Kurz ka thënë se BE ka mundësi të ndryshme të reagimit dhe se ato i shfrytëzon vazhdimisht. Por, ai e sheh të “nevojshme që Beogradi dhe Prishtina të krijojnë një dëshirë të mjaftueshme për kompromis”.

Kurz ka mirëpritur emërimin e të dërguarit special amerikan për Ballkanin, duke shprehur shpresën se ai do të jetë në gjendje të ndihmojë zgjidhjen e çështjes së Kosovës, në bashkëpunim me BE-në.

“Gjatë vizitës time në Shtëpinë e Bardhë, kam biseduar për përpjekjet tona të përbashkëta me presidentin Donald Trump. SHBA tashmë një kohë të gjatë janë të angazhuara së bashku me BE-në, që është shumë e rëndësishme”, theksoi Kurz.

“Andaj, është sinjal i mirë emërimi i të dërguarit special dhe shpresoj se ai do të jetë në gjendje të ndihmojë arritjen e marrëveshjes. Jam i sigurt se BE-ja do të bashkëpunojë ngushtë me të”, u shpreh kancelari austriak.
Shtuar më 16/09/2019, ora 16:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori