Kamenicë, shkolla ku nxënësit kanë frikë të shkojnë (VIDEO)
Shkolla Fillore “Hasan Prishtina” në Busavatë të Kamenicës vazhdon të jetë në gjendje shumë të keqe. Edhe pse gjatë fushatës zgjedhore të para dy vjetëve nga kryetari aktual Begzad Sinani ishte premtuar që do të ketë investime në këtë shkollë, kjo gjë nuk ka ndodhur ende.
Drejtori i shkollës Abedin Maliqi nuk u beson premtimeve të politikanëve.

“Kjo shkollë sipas premtimeve të politikanëve është rrënu dhe është ndërtu dhjetëra herë, e deri tash ndoshta ka mundur të shndërrohet në kala nga këto premtime, e jo veç shkollë” thotë drejtori Maliqi.

Shkolla me 20 mësues e 110 nxënës mësimin e zhvillon në dy objekte, njëri prej tyre i ndërtuar më 1947 e tjetri në 1979-ën.

“Këto dy objekte nuk i plotësojnë kushtet për mbajtje të mësimit në kushte normale. Neve në këtë shkollë na mungon shumëçka, por neve shpresa na mban që do të kemi një objekt nga viti i ardhshëm, të paktën kështu i kemi premtimet nga kryetari i komunës e nënkryetari, por dashtë zoti që këto të mos mbesin vetëm premtime,” thotë Maliqi.

Nënkryetari i Komunës së Kamenicës Fatmir Matoshi e pranon se deri tash pushteti lokal nuk ka mundur të investojë në Shkollën “Hasan Prishtina”, por pret që vitin e ardhshëm të ketë diçka konkrete rreth shkollës së Busavatës.

Drejtori Maliqi thotë se shkolla nuk ka kushte as minimale për mbajtje të mësimit duke filluar me faktin që dyert, dritaret dhe parketi janë shumë të vjetra dhe pastërtia është gjëja e fundit për të cilën mund të flitet.

Ai ankohet se për shkak të kushteve të këqija, nxënësit dhe arsimtarët nuk mund të zhvillojnë aktivitet kulturore.

“Ne edhe nëse dojmë të bëjmë një manifestim, ne s’kemi ku ta shfaqim pasi mungojnë sallat dhe gjithë ato kushtet elementare, ne kishim organizu një program për nder të festës së 28 Nëntorit, mezi në atë acar, ne u desht të improvizojmë në oborr të shkollës,” shpjegon Maliqi.

Agim Shkodra, drejtori i Arsimit në Kamenicë thotë se kjo shkollë mund të rregullohet vitin e ardhshëm.

“Në vitin 2016 presim rreth 2 milionë euro ndihmë financiare për arsim nga BE-ja (Komisioni Evropian) pasi kështu na janë premtuar dhe me ato para ne synim kryesor e kemi ndërtimin ose rinovimin e shkollës fillore ‘Hasan Prishtina’ në Busavatë,” tregon planifikimet Shkodra.

Por nxënësit e Busavatës e kanë problem edhe udhëtimin drejt vendit ku është e vendosur shkolla. Drejtori Abedin Maliqi thotë se ka kërkuar sigurim transporti për ta.

“Kemi tri lagje të cilat janë në një distancë më të largët, ka nxënës të klasës së parë dhe të dytë që ecin në këmbë nga 4-5 kilometra. Ne kemi bërë 5 kërkesa deri tani në organet gjegjëse, por përgjigja e tyre ka qenë që në mungese të fondeve nuk po arrijnë të na sigurojnë transport,” thotë Maliqi.

Dy fëmijë të ciklit parashkollor Tuana e Art Maliqi për shkak të mungesës së transportit tashmë nuk janë duke shkuar në shkollë.

“Po nuk ka transport dhe këta dy nuk mujnë me shku se nuk po kanë kushte me çka me i çu, s’po vijnë me i bajtë [komuna], e kështu me i çu s’po mujna,” thotë Ganimete Maliqi, një e afërme e tyre.

Drejtori komunal i Arsimit Agim Shkodra mohon se këta nxënës udhëtojnë pesë kilometra dhe nuk jep shumë shpresë për sigurim të transportit.

“Ka qenë një iniciativë në Kuvend Komunal sa i përket sigurimit të transportit për atë shkollë, por konkretisht ende s’ka lëvizje, pasi kemi mungese fondesh si komunë dhe shpresojmë që me fondet nga Komisioni Evropian apo tjetër fond do ta sigurojmë transportin,” thotë Shkodra. (Kallxo.com) /albeu.com/
Shtuar më 10/01/2016, ora 10:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori