Kryetari i AAK-së, Ramush
Haradinaj, ka thënë se është duke punuar për të ardhur në pushtet. “Jam i vendosur të punoj dhe të vij tek dita e mirë qeverisëse sa më shpejt sepse kam plan për të punuar dhe për ta qeverisur vendin”, është shprehur
Haradinaj.
Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush
Haradinaj, ka thënë se me marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë do të dalin të gjithë
fitues.
“Unë them se të gjithë jemi
fitues, qytetarët e veriut janë
fitues, sepse ata sot jetojnë në një rend kushtetues dhe ligjor, që është gjysmë kriminal, paralel. Me këtë marrëveshje do të fitojmë një rend kushtetues ligjor shumë të avancuar. Atje do të depërtojë
rendi kushtetues. Me këtë marrëveshje nuk humbet askush. Kuptohet Serbia nuk humb sepse Kosovën e ka humbur në vitin 1999. Pra, nuk është se po humbet diçka sot, por këto janë pasoja të asaj që kanë ndodhur më herët”, ka thënë
Haradinaj gjatë një ligjëratë që ka pasur me studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ai ka thënë se zbatimi i marrëveshjes me Serbinë nuk do të jetë edhe aq i lehtë. Por, ai ka thënë se Kosova duhet të shfrytëzojë këtë mundësi që të jetë në veri. “Jemi optimist se ashtu siç kemi arritur deri këtu do të dimë ta bëjmë edhe zbatimin e marrëveshjes”, ka thënë
Haradinaj.
Lideri i AAK-së, Ramush
Haradinaj, ka thënë se qeverisja në Kosovë nuk po shkon në drejtimin e duhur. “Analiza ime dhe e subjektit politik që përfaqësoj është se nuk po shkohet në drejtimin e duhur, në ndërtimin e këtij
rendi. Gjendja në qeverisjen e vendit nuk është e mirë. Kjo po ndikon në parametrat për Kosovën nëpër secilin sektor të jetës sonë. Shumë mundësi dhe shumë opsione të mira për vendin ose po humbin ose po zbehen”, ka thënë
Haradinaj.
Sipas tij, për dallim nga shoqëria civile, partitë politike e kanë një mundësi që ta ndryshojnë gjendjen politike dhe qeverisëse nëpërmjet zgjedhjeve lokale dhe parlamentare, shkruan Epoka e Re.
“Në këtë mënyrë të fillonte një rend qeverisës i cili do të jetë më efikas dhe do të mundësonte ndërtimin e një
rendi shoqëror të përgjegjësisë së plotë në Kosovë. Punën të cilën po e bëjmë, jemi duke e bërë për ta mbërritur mundësinë për nisjen e një
rendi qeverisës më të mirë në Kosovë”, ka thënë
Haradinaj.
Ai i ka porositur studentët të mos rrinë indiferentë ndaj politikës. “Atë që bëjnë politikanët është drejtpërdrejt e lidhur me jetën tuaj, prandaj ju nuk duhet të rrini indiferentë se çka po ndodh me zhvillimet qeverisëse në vend. E mira është se unë jam i vendosur të punoj dhe të vij tek dita e mirë qeverisëse sa më shpejt sepse kam plan për të punuar dhe për ta qeverisur vendin. Dua ta bëj Kosovën në çdo sektor ashtu siç duhet”, ka thënë
Haradinaj. /albeu.com/
Shtuar më 25/04/2013,
ora 11:41