Kacin: Çështja “Kosovë ose BE”, nuk ekziston
Jelko Kacin
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, theksoi se çështja "Kosovë ose BE" është një "dilemë e rremë", sepse nga Serbia askush nuk kërkon që të pranohet Kosova si shtet që ky vend pastaj të jetë kandidat për BE.

Në një shkrim autorial për të përditshmen "Dnevnik", Kacin deklaroi se nga Beogradi pritet përparimi i bisedimeve me Prishtinën, përfshirë edhe zgjidhjen për përdorimin e vulave doganore, duke mënjanuar kështu barrierat me tregtinë me Kosovën si dhe të luftohet krimi i organizuar.

Ai ka shtuar se çdo bisedë me të bashkëbiseduesit serbë e nisin me pyetjen “Kosova ose BE-ja”.

“Duhet të kemi mirëkuptim për pyetje të tilla, por është joproduktive të përgjigjesh në diçka me të cilën BE momentalisht nuk po merret” ka shtuar Kacin.

Ndërkohë Kancelarja gjermane Angela Merkel pak orë para vizitës në Serbi tha se gjatë qëndrimit në Beograd do të bëjë thirrje për vazhdimin e dialogut midis dy vendeve.

Merkel në Beograd do të mbajë një takim me bashkëshorten e ish kryeministrit Zoran Djindjic dhe me përfaqësuesit e fondacionit të tij. Ndërsa, më pas me presidentin Boris Tadic dhe kryeministrin Mirko Cvetkovic. Ekspertët në Beograd thonë se kancelarja do t`i thotë përfundimisht "jo" propozimeve për ndarjen e Kosovës dhe do të kërkojë normalizimin e raporteve në veri të Kosovës.
Shtuar më 21/08/2011, ora 14:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori