Kaçaniku është shëndrruar në deponi mbeturinash (FOTO LAJM)

Lumi Kaçanik
I njohur për historinë dhe të bëmat e luftërave gjatë rilindjes kombëtare të shekullit 19-të, Kaçaniku vuan nga degradimi dhe kujdesi ndaj ambientit.

Qyteti i shtrirë buzë lumit ishte bërë atraksion për shumë qytetarë të vendit për shkak të tentativës që në qytetin e ftohtë të rriten pallma tropikale. Sot palmat janë tharë për t’i lënë vendin deponive të bërllokut, ujërave të ndotura dhe problemeve të mëdha të infrastrukturës.

Dy lumenjtë e komunës, Nerodime dhe Lepenc, janë ndotur nga ujërat e zeza duke zhdukur gjallesat që jetojnë në të.

Fotografitë nga Kaçaniku tregojnë se dikur lumenjtë e bukur, sot janë shndërruar burim të kundërmimit të erërave të këqija dhe në deponi të mbeturinave.

Fshatrat në Kaçanik si Doganaj, Elezaj, Koxhaj, Duraj – Gabrricë, Bajnicë, Gërlicë e Epërme ende përballen me problem të kanalizimit, ndërsa fshati turistik Shtrazë vazhdon akoma të jetë pa kanalizim.

Në zonat ku qytetarët kanë pasur më shumë si fshati Stagovë, Provoli dhe Dubravë me vetëfinancim kanë vendosur ta ndërtojnë vet sistemin e kanalizimit.

Hulumtimi i KALLXO.com ka identifikuar se në qytet mungojnë shportat e bërllokut dhe mbeturinat janë të hedhura vend e pa vend.

Edhe pse komuna ka ndarë rreth 10 mijë euro për vendosjen e tabelave përmes së cilave paralajmërohet ndalimi i hedhjes së mbeturinave, ekipi hulumtues i KALLXO.com ka gjetur disa vende ku pikërisht afër këtyre tabelave ka pasur grumbull mbeturinash.

Në tërë territorin e Kaçanikut janë identifikuar 35 deponi ilegale të bërllokut ku 17 prej tyre janë larguar nga komuna ndërsa 18 sosh vazhdojnë të mbesin të mbushura me bërllok.

Hulumtimet tregojnë se në komunën ku ujërat e lumenjve janë të ndotur nga kanalizimi qytetarët kanë probleme serioze me furnizimin me ujë të pijshëm.

Të dhënat e komunës tregojnë se 41 për qind e banorëve të Kaçanikut ballafaqohen edhe mungesë të sistemit të ujësjellësit meqë nuk janë të kyçur nga komuna.

Fshatra të tëra si Gajre, Gjurgjedell, Korbliq, Kotlinë, Llanishtë, Nikoc, Ivajë dhe Drenogllavë nuk janë të kyçura në sistemin e ujësjellësit.

Infrastruktura rrugore

Hulumtimi i KALLXO.com ka nxjerrë në pah që banorët e fshatit Begracë janë ankuar se rruga në lagjet Gash, Kuqishtë dhe Jahaj janë të paasfaltuara.

Në infrastrukturë mungojnë edhe trotuaret dhe ndriçimi publik si në fshatra ashtu edhe në lagjet periferike të qytetit.

Vërejtje kjo komunë ka edhe nga Auditori i Përgjithshëm i cili ka gjetur se më 2 shkurt 2016, komuna e Kaçanikut kishte lidhur kontratë në shumë prej 53 mijë euro për mirëmbajtjen e rrugëve lokale. Sipas auditorit, komuna e Kaçanikut kishte realizuar këtë projekt brenda gjashtë muajve edhe pse kishte lidhur kontratë një vjeçare.

“Kjo është si rezultat i mos planifikimit te duhur të shpenzimeve sepse komuna ka nevojë për tërë vitin ta kryejë mirëmbajtën verore dhe dimërore. Kjo i ka kushtuar kosto shtesë komunës duke lidhur edhe një kontratë me një operator tjetër”, shkruhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2016 për komunën e Kaçanikut.

Kryetari i ardhshëm i komunës do e ketë problem zgjidhjen e problemeve në këtë komunë.

Kaçaniku ka buxhet prej 6,6 milionë euro, prej tyre vetëm 494 mijë euro të hyra vetanake. Edhe kjo komunë ka telashe me teprica të buxhetit, suficit. Kjo i bien që s’ka qenë problemi që s’kanë para, por thjeshtë nuk kanë ditur t’i shpenzojnë. Auditori thotë se 7 projekte kapitale të planifikuara për vitin 2016 as që kishin filluar deri në realizimin e Auditimit në fillim të vitit 2017. Kjo komunë i toleron borxhlinjtë, madje edhe ata që i shfrytëzojnë pronat komunale pa i paguar borxhet
Shtuar më 19/10/2017, ora 09:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori