Jeremiç ndikon në njohjet e Kosovës
Vuk Jeremiç
Për dallim nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilët nuk i druajnë ndikimit të Vuk Jeremiqit, i cili do ta kryesojë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, analistët e vendit mendojnë se ish-ministri i Jashtëm serb do ta shfrytëzojë pozitën dhe kontaktet e përditshme që do të ketë me delegacionet e vendeve të ndryshme për t’u kërkuar që të mos e njohin Kosovën e pavarur.

Petrit Selimi, zëvendësministër i punëve të jashtme të Kosovës, thotë se pozita e Jeremiqit nuk ka funksion ekzekutiv e as politik, por është më shumë teknik. “Tanimë Jeremiq ka fituar reputacionin e një nacionalisti jo fort të dëshirueshëm dhe tejet subjektiv, andaj nuk pritet nga ai që të ketë ndonjë ndikim në procesin e njohjeve. Emërimi i tij i ka hidhëruar shumë shtetet e BE-së që kanë përkrahur kandidatin fillestar baltik, kështu që efekti i emërimit të tij është i limituar”, shprehet Selimi.

Ndryshe nga zëvendësministri Selimi mendon ish-shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, sipas të cilit të jesh kryetar i Asamblesë së Përgjithshme është një pozitë për të cilën nuk mund të thuhet se është pa ndikim të madh dhe nga kjo pozitë Jeremiq mund t’i bëjë dëme të mëdha Kosovës në procesin e njohjes ndërkombëtare.

“Mjafton që çdo ditë është në kontakt me të gjitha delegacionet anëtare të OKB-së. Kontaktet e tij të vazhdueshme edhe me përkrahësit e fuqishëm të Serbisë i ndihmojnë që të luajë rol të kujdesshëm në politika antikosovare”, ka thënë Hyseni.

Po ashtu, Skënder Hyseni kritikon Qeverinë e Kosovës se është shumë pak e pranishme me aktivitetet e saj diplomatike, e sidomos në Nju Jork, aty ku është qendra e diplomacisë. Një fakt tjetër shqetësues, sipas analistëve, është se Jeremiq ka argumente të mjaftueshme që të përdorur kundër Kosovës, argumente këto për të cilat ka kontribuar vetë Qeveria e vendit.

Sipas analistit Shenoll Muharremi, Qeveria e Kosovës do të duhej të ketë një strategji ndryshe për të nxitur njohjet, duke investuar më tepër në zhvillim dhe përparim të brendshëm të vendit, veçanërisht në përkrahje direkte për bizneset kosovare në mënyrë që të krijohet miqësi dhe mundësi ekonomike dhe tregtare dhe këto t’i përdorë si mjete për njohje dhe thellime të miqësisë.

“Por, fatkeqësisht të gjitha qeveritë e deritanishme të Kosovës e kanë shndërruar Kosovën në një vend që identifi kohet me krime e keqqeverisje dhe varfëri. E këto elemente janë pikërisht argumentet që tipat si Jeremiq i përdorin kundër Kosovës”, shtoi Muharremi.

Kurse analisti tjetër, Behxhet Shala, mendon që nuk do duhet të ketë shumë frikë ndaj politikave të Jeremiqit, pasi që, sipas tij, pavarësisht kontakteve të tij të vazhdueshme me shtetet që nuk na kanë njohur, janë edhe shtetet përkrahëse të Kosovës që vazhdojnë të lobojnë për njohjen e Kosovës.

Kritikave të opozitarëve e analistëve për mungesën e pranisë së fuqishme të diplomacisë kosovare në Nju-Jork, zëvendësministri Selimi u përgjigjet me faktin se ambasadori Bekim Sejdiu si konsull gjeneral në NjuJork, ka filluar të përgatit terrenin për paraqitjen e Kosovës në OKB, si në Këshill të Sigurimit ashtu edhe në sesionin e Asamblesë.

Se Vuk Jeremiqit nuk duhet t’i kihet frikë, Petrit Selimi përmend edhe faktin se Qeveria e re e Serbisë ia ka shkurtuar atij buxhetin për 80 për qind, me arsyetimin se pozita e tij nuk është edhe aq e rëndësishme për Beogradin.

Vuk Jeremiq në muajin qershor është zgjedhur në postin e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, për sesionin e 67-të, i cili fillon në shtator.(Zëri) /albeu.com/
Shtuar më 12/08/2012, ora 13:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori