Jashari kërkon që Blakaj të paditet penalisht
Anëtari i Komisionit verifikues të veteranëve të Kosovës, Xhavit Jashari, është njëri ndër personat i përfshirë në aktakuzën për lëndën e njohur si “Veteranët”.

Por, përveç Jasharit në aktakuzën e prokurorit tashmë të dorëhequr Elez Blakaj, janë edhe shumë emra të luftëtarëve të vërtetë të UÇK-së.

Blakaj duke parë emrat e veteranëve të vërtetë, është shprehur dje se aktakuzës së tij i janë shtuar rreth 2.000 persona.

“Jam duke marr komente dhe pyetje të shumta në lidhje me aktakuzën e ngritur në gjykatë dhe emrat e publikuar të personave që janë seleksionuar si përfitues të statusit të veteranit luftëtar në kundërshtim me kriteret e ligjit për veteranët. Ajo çka po shoh tash nga informacionet e publikuara në media, që i referohen aktakuzës së veteranëve, duke i publikuar edhe emrat dhe të dhënat personale është se janë rreth 2.000 persona, të cilët del se janë shtuar në listën e emrave që janë që janë seleksionuar si përfitues të statusit të veteranit luftëtar në kundërshtim me kriteret e ligjit për veteranët”, ka shkruar Blakaj.

Por, anëtari i Komisionit verifikues Xhavit Jashari, ka kërkuar nga veteranët që janë të përfshirë në aktakuzën e Blakajt të bëjnë kallëzim penal ndaj tij.

Jashari ka vazhduar ta quajë akuzë qesharake, gjersa ka hedhur dyshimet nëse ato emrat e aktakuzës janë bërë nga Republika e Kosovës apo ajo e Serbisë.

“Domethënë unë që në fillim kam thënë se është akuzë qesharake, për vetë faktin që është futur emri im që kam qenë kompetent për verifikimin e veteranëve të luftës së UÇK-së. Por, tash pas publikimit të emrave nga prokurori vijnë dyshimet, unë personalisht dyshoj, se cila prokurori i ka dërguar, a është ajo e Republikës së Kosovës, apo të Serbisë. Sepse, është fyerje, degradim dhe njëllosje e luftës dhe veteranëve që iu kanë publikuar emrat dhe që kanë qenë që nga dita e parë dhe deri në ditën e përfundimit të luftës së UÇK-së. Unë si njëri nga anëtarët e Komisionit për verifikimit të emrave të njerëzve të luftës, ju bëj thirrje të gjithë veteranëve të cilët i ka fyer prokurori në fjalë të bëjnë kallëzim penal të prokurorit dhe Prokuroria të merret gjithsesi me prokurorin Elez Blakaj”, ka thënë Jashari,raporton bota sot.

Ndaj emrave të përmendur në aktakuzë kanë reaguar shumë ish-luftëtarë, por edhe organizata të veteranëve në Dukagjin dhe Drenas, duke thënë se aty përmenden shumë të pa vërteta.

Ndërsa, prokurori i Shtetit përmes një kumtese për media ka njoftuar opinionin se gjatë fazës së grumbullimit të informacioneve si dhe gjatë hetimeve që kanë zgjatur për një vit e gjysmë, janë shqyrtuar mbi 80 mijë aplikacione.

Sipas tyre, nëse eventualisht ndonjë veteran luftëtar i UÇK-së, është dëmtuar me përfshirjen e emrit të tij nga Prokuroria në listën e përfituesve të kundërligjshëm, atëherë do të kërkojnë që emrat e tyre të tërhiqen si përfitues të kundërligjshëm dhe do ti propozohet Gjykatës, që në bazë të dokumentacionit të rishikuar që ndaj tyre të mos zbatohet masa e përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit luftëtar.

Jashari ka thënë se Blakaj, aktakuzën e ka ngritur për përfitimet e veta në mënyrë që të sigurojë një jetë më të mirë në Amerikë.

Ai ka ripërsëritur thirrjen e tij ndaj institucioneve të drejtësisë në mënyrë që të hetojnë rastin e prokurorit Blakaj.

“Sipas të gjitha gjasave këtë aktakuzë që e ka ngritur e ka bërë për përfitimet e veta që të sigurojë një jetë më të mirë atje ku ka shkuar në Amerikë, prandaj ju bëjë thirrje edhe institucioneve të drejtësisë që të hetojnë rastin e prokurorit Elez Blakajt dhe të vijë Elez Blakaj që të ballafaqohet me të gjithë ata njerëz që iu ka publikuar emrat dhe me anëtarët e Kominisonit për verifikim që ka ngritur aktakuzë, sepse ajo që ka bërë është e padrejtë sepse gjithë verifikimi është bërë me parimet e vlerave të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka pohuar Jashari.

Aktakuza e cila tashmë gjendet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, përpos emrave tjerë ka të përfshirë edhe: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në aktakuzë thuhet se, të akuzuarit me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave tjerë të përfitojnë kundërligjshëm, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës se Kosovës.
Shtuar më 17/09/2018, ora 16:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori