Jahjaga: Vetëvendosje largohu nga rruga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka konsideruar pamje jo të mirë protestën e Vetëvendosjes më 14 janar. Ajo ka përkrahur policinë se e ka për obligim ta ruaj rendi dhe qetësinë publike ndërsa fare nuk është marrë me kërkesën e Krasniqit që ti bëj bashkë partitë politike. E para e vendit në një komunikatë për media ka sqaruar se këto ngjarje nuk i shërbejnë Kosovën në kohën e hapjes së proceseve të reja integruese.

I ka bërë thirrje Vetëvendosjes të largohet nga rruga. "E thërras Lëvizjen “Vetëvendosje” që të heqë dorë nga protestat dhe t’i kthehet punës, debatit dhe procesit të vendimmarrjes në Kuvend dhe aty të kontribuojë në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave".

"Unë si Presidente e vendit e kam shprehur qëndrimin, që përpara demonstratave, se ende nuk janë shterur të gjitha mundësitë e veprimeve institucionale dhe se rruga nuk paraqet zgjidhje për arritjen e qëllimeve dhe synimeve politike e shtetërore. Veprimi institucional është mënyra e vetme dhe më e mirë për adresimin dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve" citohet Presidentja në komunikatë.

Ajo më tej ka shtuar se "Të gjitha institucionet, të gjitha subjektet politike dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës janë të obliguar të respektojnë dhe të zbatojnë plotësisht Kushtetutën dhe ligjet e vendit".
"Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë për ruajtjen e qetësisë publike dhe për sigurimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave, vlera këto evropiane që garantohen edhe me Kushtetutën e Kosovës. Unë e mirëpres thirrjen e Qeverisë së Kosovës për vlerësimin e veprimeve të Policisë së Kosovës në ditën e protestës që do të mundësojë qartësimin e situatës së krijuar" thuhet në komunikatë.
Shtuar më 17/01/2012, ora 22:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori