Jahjaga uron Krishtlindjet
Presidentja Atifete Jahjaga iu ka uruar të gjithë besimtarëve të krishterë në Kosovë festën e Krishtlindjeve.

Urimi i Jahjagës për Krishtlindje


Krishtlindjet sot e gjejnë vendin tonë, Republikën e Kosovës, me një numër të madh arritjesh në të gjitha fushat, me përkushtimin për rritjen e mirëqenies për qytetarët tanë pa dallim etnie e besimi, për zhvillim ekonomik të vendit dhe me synime të qarta për integrime euroatlantike.

Në këtë rrugë kemi plot sfida e vështirësi. T’i kalojmë ato së bashku, me synimin për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në këtë ditë, le të kujtohemi për të gjithë njerëzit rreth nesh që kanë nevojë për ndihmën dhe solidaritetin tonë. Të ndajmë me ta momentet e festës, t’ua bëjmë atyre kremten dhe jetën më të lehtë e më të mirë.
Po kështu, le të përkujtojmë ata që nuk janë më në mesin tonë. Ata kanë dhënë shumë e kanë bërë shumë për ne dhe për shtetin.

Në ditën e Krishtlindjes, uroj të gjithë udhëheqësit dhe pjesëtarët e misioneve ndërkombëtare në vendin tonë, ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë dhe të gjithë përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë, të cilët do të festojnë këtë ditë të shënuar në vendin tonë.

Ju shpreh të gjithëve urimet e mia më të mira me rastin e Krishtlindjes. Lutem që në këtë ditë dhe gjithmonë, në familjet tuaja të ketë paqe, begati e harmoni.

Me respekt,
Atifete Jahjaga
Presidente e Republikës së Kosovës./albeu.com/

Shtuar më 24/12/2014, ora 14:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori