Jahjaga: UNMIK-u të mos përzihet
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në takim me përfaqësuesin e posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Farid Zarif, shfaqi shqetësimin e saj me qëllimin e Republikës së Serbisë për të mbajtur zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës, me të cilat shkelet sovraniteti i shtetit të Kosovës, sfidohet integriteti territorial dhe destabilizohet vendi.

Shefi i UNMIK-ut, me kërkesën e të cilit u zhvillua takimi, u interesua për qëndrimin e presidentes Jahjaga për zgjedhjet e paralajmëruara të Republikës së Serbisë edhe në territorin e Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova nuk mund të lejojë asnjë shtet fqinj, ose përfaqësuesit e tij që udhëheqin me strukturat paralele ilegale brenda territorit të Kosovës, që të organizojë çfarëdo zgjedhje kudo qoftë në Republikën e Kosovës, raporton Telegrafi. Ajo tha se çdo përpjekje e Republikës së Serbisë për të organizuar çfarëdo zgjedhje shënon shkelje të normave dhe ligjeve ndërkombëtare dhe të parimeve thelbësore evropiane.

Presidentja Jahjaga kërkoi nga shefi i UNMIK-ut që t’ia përcjellë shqetësimet edhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon dhe bashkëbiseduesve të tij në Republikën e Serbisë. Ajo gjithashtu kërkoi që UNMIK-u të mos bëhet palë në organizimin e këtyre zgjedhjeve, meqë ato paraqesin një shembull të rrezikshëm që nuk kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Shtuar më 20/03/2012, ora 21:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori