Jahjaga telefonatë Delawies: Nxitësit e urrejtjes do të refuzohen me përçmim nga qytetarët
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka lajmëruar se ka zhvilluar një bisedë në telefon me Ambasadorin Amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, të cilit i ka thënë se institucionet dhe qytetarët e Kosovës janë krenarë me miqësinë me SHBA-të.

Po ashtu, Jahjaga i ka thënë Ambasadorit se Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin për ta forcuar dhe avancuar bashkëpunimin dhe partneritetin me SHBA-të dhe për t’i jetësuar në Kosovë vlerat dhe idealet që shumica absolute në vend duan t’i ndajmë me demokracinë amerikane, transmeton Telegrafi.

Në llogarinë e saj në Facebook Jahjaga ka shprehur keqardhjen e institucionit që ajo drejton për, siç thotë ajo, “veprimet e një pakice margjinale”.

Ky është postimi i Jahjagës në Facebook:

Sapo kam zhvilluar një bisedë telefonike me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Greg Delawie për ta siguruar ambasadorin dhe të gjithë diplomatët amerikanë që shërbejnë në vendin tonë, që institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës janë krenarë me miqësinë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-të dhe mbesin të palëkundur në përkushtimin e tyre për ta forcuar dhe avancuar bashkëpunimin dhe partneritetin me SHBA-të dhe për t'i jetësuar në Kosovë vlerat dhe idealet që shumica absolute në vend duam t'i ndajmë me demokracinë amerikane.

Shpreh keqardhje për veprimet e një pakice margjinale. Kosovarët janë të vetëdijshëm që pas një kohe shumë të gjatë dhe gjeneratave të tëra që janë shuar në përpjekje për të arritur ëndrrën për një jetë më të mirë, jemi në anën e drejtë të historisë. Ju siguroj se në këtë anë do të mbesim.

Ata që mendojnë që mund të nxisin frymë të urrejtjes në Kosovë dhe harrojnë lehtësisht një të kaluar aspak të largët, të jenë të sigurt se një gjë të tillë do ta refuzojnë me përçmim qytetarët e Kosovës. /Albeu.com/
Shtuar më 20/02/2016, ora 19:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori