Jahjaga: Serbët të integrohen
Në praninë e një numri të madh studiuesish dhe specialistësh të çështjeve të Ballkanit, presidentja Atifete Jahjaga në fjalën e saj të mbajtur në Universitetin Johns Hopkins në Washington, tha se Kosova është bërë me sukses pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, dhe se do të vazhdojë të kërkojë anëtarësimin në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare...

“Në më pak se një gjeneratë, Kosova është transformuar nga një vend i luftës në një vend të ri në rrugën drejt integrimit në institucionet euroatlantike. Që prej shpalljes së pavarësisë, Kosova ka vendosur marrëdhënie të mira me vendet e rajonit. Republika e Kosovës ka një perspektivë të qartë evropiane. Ne nuk shikojmë rrugë tjetër apo alternativë tjetër për të ardhmen tonë veç integrimit në familjen evropiane dhe atë euroatlantike bashkë me vendet e tjera të rajonit”.

Ky angazhim, tha Jahjaga, është demonstruar në të gjitha proceset, që qeveria e Kosovës është angazhuar, përfshirë edhe dialogun me Republikën e Serbisë. Por sipas saj, parimet bazë të shtetit dhe mirëqenies së Kosovës nuk do të jenë dhe nuk duhet të jenë pjesë e diskutimit me ndonjë vend tjetër, për më tepër me Serbinë”.

Presidentja Jahjaga foli gjerësisht rreth gjendjes në veriun e Kosovës. Presidentja e vuri theksin tek tre komunat në veriun e Kosovës, ku siç tha ajo, qeveria e Kosovës përballet me vështirësi, komuna këto që shtrihen në kufi me Serbinë dhe që administrohen nga struktura ilegale dhe mbështeten nga shteti i Serbisë. Ajo tha se mungesa e ligjit në këtë pjesë të Kosovës ka bërë të mundur që kontrabanda dhe krimi i organizuar të hedhin rrënjë, duke dëmtuar kështu ekonominë e të dy vendeve.

“Ne jemi të vendosur të normalizojmë situatën në veriun e Kosovës, të cilën e konsiderojmë si një çështje të ruajtjes së rendit. Unë e kam bërë të qartë se nuk ekziston asnjë alternativë tjetër përveç zbatimit të Planit Ahtisari dhe ky plan nuk mund të modifikohet sepse ai është hartuar dhe miratuar në bashkëpunim të plotë mes institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar”, tha presidentja, raporton VOA.

Ajo shtoi se integrimi i komunitetit serb në veriun e Kosovës është mënyra në të cilën Kosova do të ndërtojë një të ardhme të sigurt për të gjithë popullin e vet. Presidentja Jahjaga u bëri thirrje anëtarëve të komunitetit serb të Kosovës që të marrin përsipër përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre për t’u bërë pjesë e shoqërisë dhe ta konsiderojnë Kosovën si atdheun e tyre.
Shtuar më 15/12/2011, ora 23:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori