Jahjaga: Reforma në drejtësi, hap i rëndësishëm për Kosovën
Presidentja Atifete Jahjaga u shpreh sot se sundimi i ligjit dhe gjykatat efektive janë pjesë thelbësore që garantojnë përparimin e gjithmbarshëm të shoqërisë sonë dhe avancojnë proceset tona drejt integrimeve evropiane.

Duke folur në Konferencën e Tretë Vjetore të Gjyqësorit të Kosovës, Jahjaga kërkoi të intensifikohen reformat jo vetëm në kuadër të legjislacionit por edhe në ndërtimin e politikave më të mira për zbatimin e tij, sepse sipas saj kjo gjë funksionalizon sistemin tonë demokratik duke garantuar integritetin e gjykatave.


"Reformat në fushën e drejtësisë janë një hap i madh i yni që tregon se ne jemi gati të marrim përgjegjësi. Tregon se ne dimë dhe mund të bëjmë Kosovën vend të sundimit të ligjit. Sundimi i ligjit nënkupton edhe ndihmën që ne si institucione duhet t’u ofrojmë të gjitha grupeve të margjinalizuara që të kenë qasje në drejtësi. Sepse ne – Qytetarët e Republikës së Kosovës, jemi të barabartë përpara ligjit dhe Kushtetutës dhe sepse institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta garantojnë këtë të drejtë.
Zinxhiri i funksionimit të institucioneve të mandatuara për zbatimin e ligjit, përfshirë gjykatat, prokuroritë dhe edhe policinë e Kosovës duhet të jetë i pashkëputshëm, sepse kjo garanton zbatimin e plotë të ligjit dhe kthen besimin e qytetarëve në institucionet tuaja. Por ju jeni të pavarur në punën tuaj dhe kjo pavarësi duhet të shndërrohet në rezultat konkret të zbatimit të ligjit dhe gjithashtu nënkupton qëndrueshmëri edhe për shoqërinë edhe për shtetin" u shpreh Jahjaga gjatë fjalës së saj.

Duke u ndalur tek zgjedhjet e 3 Nëntorit, presidentja u shpreh qe institucionet kanë treguar se ato janë efikase dhe mobilizohen për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve të republikës së Kosovës. /albeu.com/
Shtuar më 30/11/2013, ora 13:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori