Jahjaga: Kontributi i Kadaresë i jashtëzakonshëm (FOTO-LAJM)

Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, priti sot në takim shkrimtarin e shquar shqiptar, zotëri Ismail Kadare, dhe bashkëshorten e tij, Helena Kadare.Në një bisedë shumë miqësore, Presidentja Jahjaga dhe shkrimtari Ismail Kadare biseduan për çështje të ndryshme politike, shoqërore e kulturore dhe për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova sot.

Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë dhe duke e përgëzuar për marrjen e çmimit ndërkombëtar “Ali Podrimja”, Presidentja Jahjaga theksoi se është një nder i madh për gjithë Kosovën vizita e shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, vepra e të cilit vazhdon të jetë frymëzim për të gjitha gjeneratat.

Ajo tha se kontributi i zotëri Kadare për Kosovën, në shtypin dhe diplomacinë botërore, është i jashtëzakonshëm dhe me ndikim të madh.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova sot është një shtet i pavarur e demokratik, që synon anëtarësimin në BE, NATO dhe në OKB.

Shkrimtari Ismail Kadare e përgëzoi Presidenten Jahjaga për punën dhe angazhimin e saj, me theks të veçantë në kontributin që ajo ka dhënë në ngritjen e imazhit të Kosovës në botë. Shkrimtari Ismail Kadare foli edhe për perspektivën evropiane të Kosovës, të Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit, duke theksuar se kjo është zgjidhja e natyrshme për secilin vend të rajonit. /albeu.com/
Shtuar më 03/09/2013, ora 16:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori