Jahjaga-Jacobson, vendosin gurthemelin e ambasadës së SHBA-së
Presidentja, Atifete Jahajga dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson kanë vënë gurthemelin për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së Amerikës në Kosovë. Gjatë fjalës së saj në këtë ceremoni Jahjaga është shprehur se ka nderin që merr pjesë në përurimin e Ambasadës së Amerikës në Republikën e Kosovës.

"Ky moment shënon fillimin e ndërtimit të shtëpisë tuaj të përhershme në Kosovë, në shtetin tonë të ri qytetarët e të cilit u janë përjetësisht falënderues dhe mirënjohës për rolin e guximshëm dhe historik që keni në bërjen e Kosovës shtet. Bashkë kemi bërë goxha një udhëtim. Qëndruat përkrah nesh në momentet më sfiduese të shekullit të kaluar, dhe bashkërisht nisëm një kapitull të ri të shpresës dhe optimizmit në fillim të këtij shekulli për të kurorëzuar përpjekjet tona për Kosovën shtet të të gjithë qytetarëve të saj shtatë vite më parë.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qytetarët e Kosovës gjetën mbështetjen dhe besimin për realizimin e vizionit tonë për liri, pavarësi e demokraci. Përkundër shumë vështirësive, vullneti ynë i përbashkët triumfoi ndaj të keqes dhe sot si dy popuj që ndajnë vlerat fundamentale dhe idealet e demokracisë shënojmë edhe një fillim të ri – atë të vendosjes së adresës tuaj permanente si simbol i qëndrueshmërisë", ka mbyllur fjalën e saj Jahjaga.

Objekti i Ambasadës amerikane do të kushtojë 250 milion euro. Ndërkaq në të do të punësohen 700 punëtorë. /albeu.com/
Shtuar më 05/05/2015, ora 12:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori