Dioqeza e Rashkë-Prizrenit ka deklaruar se në dyert e Manastirit të Deçanit, mëngjesin e sotëm është shfaqur një grafit i UÇK-së. Ndaj këtij grafiti ka reaguar edhe
presidentja e Kosovës Atifete
Jahjaga.
Presidentja Jahjaga ka dënuar fuqishëm
shkruarjen e grafitit në Manastir të Deçanit, i cili është një monument fetar dhe një prej simboleve të trashëgimisë kulturore të Kosovës, ndaj të cilës qytetarët dhe institucionet e Kosovës kanë treguar përkujdesje të veçantë.
Zyra e presidentes përmes një kumtese thekson se dëmtimi i monumenteve
fetare paraqet një akt të papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me traditat e vlerat e qytetarëve të Kosovës, të mbështetura në tolerancë dhe respekt të plotë për komunitetet
fetare dhe monumentet e tyre, të vilat mbështeten edhe nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Presidentja Jahjaga u ka bërë thirrje mekanizmave të sigurisë që të zbulojnë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i nxjerrin ata përpara drejtësisë. /albeu.com/
Shtuar më 25/04/2014,
ora 15:20