Jahjaga: Bashkërisht thyem heshtjen për të dhunuarit e luftës
Presidentja në ikje e Kosovës, Atifete Jahjaga me rastin e 8 marsit, ditën e gruas ka marrë pjesë në seancën solemne të organizuar nga Kuvendi i Kosovës.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin gratë deputete, ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe të ftuar të tjerë.

Po ashtu u shfaq edhe dokumentari për realizimin e instilacionit artistik “Mendoj për ty”.

Presidentja Jahjaga para të ftuarve tha se me instilacionin “Mendoj për ty”, bashkërisht u thye heshtja për të dhunuarat gjatë luftës.

Ajo tregoi se rrëfimi te ky dokumentar është rrëfim i guximit, kurajës, të mijëra grave dhe vajzave të Kosovës, të cilat gjetën kurajën për të mbijetuar kundrejt krimit mizor.

Më poshtë mund të lexoni fjalimin e plotë të presidentes Jahjaga

Fillimisht ju dëshiroj urimet më të mira për këtë ditë, Ditën e 8 Marsit, Ditën Ndërkombëtarë të Gruas. Gjatë ditë së sotme ne jemi tubuar për të parë dhe për të shfaqur edhe një dokumentar, i cili është realizuar me përkrahjen time dhe me idenë e dy artistëve të Kosovës për gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.

Rrëfimi i sotëm është rrëfim i guximit, rrëfim i kurajës, rrëfim i mijëra grave dhe vajzave të Kosovës, të cilat, nën hijen e heshtjes dhe të fajësimit, nën hijen dhe në plagët e hapura të këtij krimi mizor, gjetën kurajën dhe gjetën forcën për të mbijetuar, gjetën kurajën dhe gjetën forcën për një të ardhme më të mirë, duke u kapur fort për të drejtën e tyre për një jetë në paqe dhe për një jetë me drejtësi në to.

Rrëfimi i sotëm është edhe një rrëfim i rëndë. Është një rrëfim që shpalos padrejtësinë e madhe që është bërë ndaj popullit të pafajshëm të Kosovës, një krim mizor të luftës, i cili kishte synimin kryesor për të ngjallur ndjenjën e frikës dhe të shtypjes, që ka pasur si synim të cenojë dinjitetin e mijëra grave dhe vajzave të Kosovës dhe ka pasur synimin që të nxisë shpërnguljen masive të qytetarëve dhe, mbi të gjitha, synim kryesor ka pasur që të zhveshë një shoqëri të tërë nga vlerat e saj njerëzore.

Kujtimi i asaj dite, i 12 qershorit të vitit të kaluar, i ditës më të çmuar për Kosovën, për të gjithë qytetarët e Kosovës, që unë them se është dita më e shenjtë për neve, Dita e Çlirimit të Kosovës, kur fusha e blertë e stadiumit të Prishtinës u mbulua me 5000 fustane të dhuruara nga mijëra gra, vajza e burra nga e gjithë Kosova, me qëllim dhe në përkrahje të grave viktima të dhunës seksuale të luftës, ka qenë dhe do të jetë gjithmonë i freskët për mua.

Ajo ditë përcolli emocion të veçantë për mua, por ajo ditë përcolli edhe një shpresë të madhe jo vetëm për mua, por edhe për gjithë qytetarët e Kosovës, që pamë pas shumë vitesh një solidaritet të paparë deri më tani, një solidaritet të pashoq të mijëra e mijëra qytetarëve të Kosovës, por edhe përtej kufijve të Kosovës, të cilët iu përgjigjen thirrjes së artistes së Kosovës, Alketa Xhafa-Mripa, për të dhuruar një fustan në përkrahje dhe në mbështetje morale për të gjitha gratë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës.

Kjo u bë me qëllimin e vetëm për të thyer heshtjen, për të thyer stigmën, për t’u dhënë zë të gjitha këtyre grave që pas përfundimit të luftës ishin të pazëshme, ishin të stigmatizuara dhe ishin të heshtura. Atë ditë bashkërisht ne e thyem atë heshtje.

Këto gra nuk kërkojnë shumë, ato kërkojnë t’u njihet e drejta e tyre. Tani më e kemi ligjin të miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe këto gra kërkojnë drejtësi për brenda Kosovës dhe jashtë Kosovës, sepse faji nuk është mbi to, por është mbi ata që e kanë kryer këtë krim mizor mbi trupin e tyre dhe jetën e tyre.

Neve duhet të bëjmë gjithçka çfarë është e mundur për t’u garantuar këtyre të mbijetuarave një të ardhme në paqe dhe një të ardhme me dinjitet për to, për fëmijët e tyre dhe për familjet e tyre./Albeu.com/
Shtuar më 08/03/2016, ora 18:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori