Jahjaga angazhon tre ekspertë ndërkombëtarë për demarkacionin
Presidentja në ikje e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka konkretizuar idenë që e nisi disa muaj më parë, për krijimin e një komisioni “ad-hoc” për rishikimin e përcaktimit të kufirit Kosovë-Mali i Zi, proces që po kontestohet nga opozita me protesta dhe gaz lotsjellës në Kuvend.

Sipas burimeve të brendshme të Presidencës, Top Channel shkruan se deri të hënën e ardhshme Jahjaga do të firmos emërimin e tre ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët do të rishikojnë të gjitha materialet për demarkacionin.

Megjithëse Jahjaga po e formon këtë komision në fund të mandatit të saj, ai përkrahet edhe nga presidenti i zgjedhur Hashim Thaçi, i cili ditë më parë ka konfirmuar për Top Channel se do t’i japë mbështetjen punës së rishikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Ndërkohë nga ana tjetër profesori i gjeografisë, Florim Isufi ka bërë thirrje, që komisioni i ekspertëve të mos rishikojë vetëm materialet e komisionit shtetëror, por të konsultojë edhe harta të tjera.

“Nëse merret edhe me materiale të tjera të vlefshme, materiale shkencore të publikuara nga institucionet më të besueshme të ish-Jugosllavisë, pres që ai komision – nëse është serioz, – ta modifikojë vijën kufitare dhe do ta çojë atë në vendin e duhur”, ka thënë Florim Isufi, profesor i gjeografisë.

Partitë opozitare ende nuk kanë një qëndrim që mund të tregojë nëse do ta mbështesin dhe pranojnë rezultatin e ekspertëve ndërkombëtarë.
Sipas zëdhënësit të AAK-së, Muharrem Nitaj, opozita ende nuk e di metodologjinë e punës që do të ndjekin ekspertët e huaj./Albeu.com/
Shtuar më 08/03/2016, ora 19:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori