Jacobson, thirrje serbëve në veri të votojnë
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Tracey Ann Jacobson u ka bërë thirrje serbëve në Veri të Kosovës që të dalin të votojnë më 17 nëntor.

Në një intervistë për radion "Evropa e Lirë", Jacobson flet edhe për incidentet e ndodhura më 3 nëntor. "Ato incidente janë ende duke u hetuar nga të gjitha autoritetet përkatëse. Me aq sa kam njohuri, një person është arrestuar dhe ndaluar dhe jam e bindur se do të zbulohen edhe të tjerët dhe drejtësia do të vihet në vend.

Por, çështja e rëndësishme tani është se situata po ecën përpara. Dhe unë besoj se të dielën do të kemi një prani më rigoroze dhe më të dukshme të strukturave të sigurisë, qoftë të Policisë së Kosovës apo të institucioneve ndërkombëtare të sigurisë",-thotë ajo.

E pyetur se ç'porosi do t'u jepte atyre që dalin në raundin e dytë të zgjedhjeve, Jacobson thotë:

"Mesazhi im për votuesit kudo është dilni dhe votoni, votoni personin që ju mendoni se është më i mirë për të udhëhequr, e jo personin që bën premtime më të bukura ose kërcënimet më të ndyta. Votoni njeriun që do ta udhëheqë komunën tuaj drejt një të ardhmeje më të ndritur",-thotë ajo. /albeu.com/
Shtuar më 14/11/2013, ora 16:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori