Jabllanoviçi dikur dinte shumë për luftën në Kosovë (VIDEO)
Aleksandër Jabllanoviçi përpara se të bëjë sikur e ka humbur kujtesën dhe se nuk e mban mend kohën e luftës në Kosovë, kohë më parë ka folur gjërë e gjatë për kohën e luftës.

Madje, ai thoshte se i vjen keq që personalisht nuk ka marrë pjesë në betejën e Koshares e të Morinës “për nderin e Serbisë”.

“Në veri të Kosovës dhe Metohisë jemi dëshmitarë se ka njerëz që duket sikur nuk jetojnë në këtë kohë dhe në këtë hapësirë, që nuk lejojnë të punojmë të gjithë në mënyrë të përbashkët. Këta janë njerëz që bëjnë anti-fushatë. Fushatë kundër kujt, kundër çkaje? Bëjnë fushatë për mbajtjen e Serbisë në Kosovë, por punojnë kundër shtetit të Serbisë. Ne në zgjedhjet e Kosovës dalim si njerëz seriozë dhe përgjegjës, si njerëz që të parët kemi dalë në barrikada, unë s’ mund ta them për vete, sepse nuk e kam pasur mundësinë, por ne në radhët tona kemi njerëz që të parët kanë dalë në luftime për ta mbrojtur shtetin e Serbisë në Koshare, në Goruzhup e në Morinë. Ne kemi njerëz të tillë në radhët tona. A janë këta njerëz tradhtarë? Këta njerëz e kanë mbrojtur shtetin e tyre dhe ne në këto zgjedhje kurrë nuk do të dilnim sikur të mos na ftonte Republika e Serbisë dhe qeveria e Republikës së Serbisë”, kishite deklaruar Jabllanoviq, përcjell koha.net.

Ndërsa, ai më tej dëshmon edhe pse është krijuar Lista Serbe.

Lista Serbe është krijuar me qëllimin e vetëm që është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe Metohi. Të gjitha listat e tjera, pa dashur të ofendoj askënd, janë krijuar për interesa individuale dhe kanë për qëllim të vijnë në pushtet, në mënyrë që drejtuesit e saj të pasurohen brenda natës në llogari të popullit këtu dhe këtë e kemi parë në 15 vjetët e fundit të gjithë. Lista Serbe është krijuar me vetëm një qëllim – mbajtjen e Serbisë në Kosovë, mbajtjen e institucioneve të Serbisë, pa të cilat nuk funksionon populli dhe kjo ka të bëjë me arsimin sipas planprogramit të Serbisë, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale. Ne jemi të interesuar t’i tregojmë popullit tonë që sistemi i drejtësisë pas zgjedhjeve nuk do të jetë sistem i drejtësisë i Republikës së Kosovës. Mund të ketë ndonjë dokument ku shkruan Republika e Kosovës, por duhet ta pranojmë se Kodi Penal i Republikës së Serbisë me atë të Republikës së Kosovës është pothuajse i njëjtë dhe i shkruar nga Brukseli dhe BE-ja”, thotë Jabllanoviç./albeu.com/


Shtuar më 14/01/2015, ora 19:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori