Ja si u shkel Kushtetuta në zgjedhjen e Pacollit
Analistët ndërkombëtarë argumentojnë shkeljet që i janë bërë dokumentit themeltar të shtetit në 22 shkurt. Në një analizë të tyre konstatohet se gjatë zgjedhjes së Pacollit janë shkelur 4 nga 6 pikat e nenit 86 të cilat përcaktojnë procedurën e përzgjedhjes së Presidentit.

Së pari, Pacolli do të mund të ishte president legjitim i Kosovës nëse do të ishte ende në fuqi Korniza Kushtetues për vetëqeverisjen e Kosovës, me të cilën UNMIK-u e ka administruar vendin para shpalljes së pavarësisë. Por që pas 17 shkurtit 2008, Kosova ka një kushtetutë, sipas së cilës në zgjedhjen e presidentit duhet të marrin pjesë shumica e deputetëve të Kuvendit. Më saktë në nenin 86 thuhet : “Zgjedhja e presidentit bëhet me 2/3 e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pra 80 deputetë.

Së dyti, zgjedhja e Pacollit u bë vetëm në raundin e tretë, pas dështimit të 2 raundeve të para. Por kushtetuta nuk lejon mbajtjen e raundeve të dytë dhe të tretë kur ka vetëm një kandidat për president. Korniza Kushtetuese e UNMIK-ut parashikonte mbajtjen e raundi i tretë i votimit edhe vetëm me një kandidat për president, por Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon një gjë të tillë. Po kështu në statusin kushtetues të presidentit thuhet se “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”. por sipas ekspertëve ndërkombëtarë, fakti që Pacolli është kundërshtuar nga një numër aq i madh deputetësh, Pacolli nuk mund të jetë presidenti që kërkohet sipas këtij statusi të përshkruar në Kushtetutë. Po kështu në pikën e parë të këtij neni thuhet: “Presidenti zgjidhet nga Kuvendi me votim të fshehtë”. Sipas ekspertëve, SMS-të e publikuara në gazeta që i janë dërguar Pacollit nga këshilltari i tij Esad Pushkar, tregon se ky kriter kushtetues për votim të fshehtë nuk është plotësuar gjatë votimit për Pacollin. Ata argumentojnë se SMS-të kanë treguar edhe për ndërhyrje në rezultat, ndaj “përveç shkeljes kushtetuese paraqesin edhe vepra penale që duhet të hetohen”.

Dhe në fund ekspertët argumentojnë se vetë Pacolli ka shkelur kushtetutën vetëm disa minuta pasi është zgjedhur president, pasi votoi për qeverinë pas betimit dhe sipas kushtetutës, kreu i shtetit që në momentin që betohet nuk mund të ushtrojë më asnjë funksion tjetër, përfshirë edhe atë të deputetit.
Shtuar më 28/03/2011, ora 22:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori