“Jam takuar edhe me Gledis Nanon”, Avokatja e Popullit: Gjendja në Komisaritatet e Tiranës, katastrofike

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka folur për situatën në Policinë e Shtetit.

Ballanca u shpreh se ka folur edhe me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit lidhur me këtë çështje.

Komentet Ballanca i ka bërë në fjalën e saj në Komisionin për Çështjet Ligjore, ku është shprehur se kushtet në Komisariate nuk janë të përmbushura sipas standardeve.

Gjithashtu gjatë fjalës së saj, Ballanca tha se në Komisariate është bërë një investim pa u menduar, duke shtuar se prej 7 muajsh qytetarët jetojnë në kushte skandaloze, për shkak se personi që duhet të kishte parë elementët e sigurisë, nuk e ka bërë detyrën e tij.

“Sa i përket gjendjes në komisariatet e Tiranës, në mënyrë të veçantë është katastrofike, tërësisht në kundërshtim me standardet për qëndrimin e personave të privuar nga liria. Kemi pasur raport për dhoma të mbyllura, dhe kur ne kemi shkuar për inspektim i kemi gjetur të hapura. Futeshin brenda në komisariate, persona me zero kushte, për shkak se kishin protestuar në shkelje të rregullave anticovid. Ndërkohë në ato komisariate nuk ka pasur asnjë kusht, prej 3 vitesh në Tiranë po ndërtohet një bllok i dhomave të sigurisë, me një kapacitet tjetër, dhe me kushte të tjera. Dhe aty kemi një problem, sepse është bërë një investim pa menduar, ky boks i ri nuk ka elementë sigurie në përputhje me ligjin, me të drejtë drejtori i policisë, kur ka shkuar për të marrë në dorëzim objektin, ka refuzuar, sepse nuk ka elementë të sigurisë. Kemi 7 muaj që qytetarët jetojnë në kushte skandaloze, për shkak se personi që duhet të kishte parë elementët e sigurisë, nuk e ka bërë detyrën e tij.Kemi kërkuar ndjekje penale, lekët hidhen, dhe investimi në rastin konkret nuk po çon aty ku duhet të çonte, është një problem jo i vogël për Tiranën. Diku do të shkojnë këta njerëz, në rastin e Kamzës psh, drejtori i komisariatit ka thënë ‘ku ti çoj?, jam i detyruar’. Pra në fund të ditës problemi thelbësor që mbetet është se investimi që u bë…Unë kam bërë takim dhe me zotin Nano për këtë çështje”, u shpreh Ballanca./albeu.com/