Ja për sa vite iu zbrit dënimi Sylejman Selimit
Avokati Tomë Gashi, ka treguar ekskluzivisht për portalin Koha.net se ish-Gjeneralit të UÇK-së, Sylejman Selimit, të cilin ai e mbron në rastet “Drenica 1 dhe 2”, i është zbritur dënimi për dy vjet burgim.

Me ankesë të avokatëve mbrojtës, Gjykata Supreme sot ka vendosur që ta zbresë nga 10 në 8 vjet burgim dënimin për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Supremja e ka modifikuar vendimin e mëhershëm të Apelit, dhe ka marrë vendim përfundimtar duke i shqiptuar Selimit dënim të përgjithshëm prej 8 viteve burgim, duke i llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim që nga viti 2014 e më tej.

Avokati Gashit ka thënë se do të ankohen edhe ndaj këtij vendimi.
“Ka ende mjete juridike të cilat ne avokatët e z. Sylejman Selimi do t’i paraqesim dhe do të kërkojmë lirimin tij të plotë”, ka thënë Gashi

Kujtojmë se me aktgjykimin fillestar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, Selimi qe dënuar me burgim prej 14 vjetësh për rastet “Drenica 1 dhe 2”, derisa me ankesë të avokatëve mbrojtës, të bërë në vitin 2016, Gjykata e Apelit kishte zbritur vendimin nga 14 në 10 vjet burgim. Dhe tani, pasi është aprovuar pjesërisht ankesa e avokatëve mbrojtës dënimi është zbritur edhe për dy vjet të tjera.

Më parë, përmes një postimi në porfilin e tij zyrtar në Facebook, avokati Gashi ka thënë se “Z. Selimi shpallet i pafajshëm për përgjegjësi komanduese për pikat e aktakuzës për të cilat Gjykata e Apelit e kishte shpallur fajtor”.
Shtuar më 25/07/2017, ora 13:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori