Ja çfarë thotë Prokuroria e Shtetit për arrestimin e Albin Kurtit
Prokuroria e Shtetit ka lëshuar një komunikatë lidhur me arrestimin e deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Sqarimi i Prokurorisë së Shtetit për arrestimin e Kurtit

“Siç kemi njoftuar opinionin edhe më herët, Departamenti për Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ka filluar hetimet kundër deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës Albin Kurti, i cili dyshohet se ka kryer veprat penale: Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, nga neni 365 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Përdorimi i armës, nga neni 375 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, nga neni 409, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Duke u bazuar në nenin 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 të Kodit të Procedurës Penale, Departamenti për Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë deputetit Kurti i ka dërguar ftesa për tu paraqitur në zyrën e prokurorit të çështjes, për të dhënë deklaratën e tij, lidhur me dyshimet që i vihen në barrë. Mirëpo, i njëjti nuk i është përgjigjur ftesës së Prokuroit të Shtetit, andaj gjyqtari i procedurës paraprake me kërkesë të prokurorit të çështjes ka lëshuar urdhërarrest.

Policia e Republikës së Kosovës ka zbatuar sot urdhërin e Gjykatës dhe e ka sjellur të pandehurin Kurti në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, i cili ka refuzuar të jep deklaratën e tij para prokurorit të rastit. Prokurori ka ushtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pendehurit Kurti dhe kjo kërkesë është parashtruar, pasiqë i njëjti nuk iu është përgjigjur ftesës së prokurorisë, ka përsëritur kryerjen e veprës penale dhe ka qëndruar në arrati.

Prokurori i Shtetit siguron opinionin publik se është i vendosur që të respektoj të gjitha dispozitat ligjore për secilin rast, pavarësisht së kush është i dyshuar për vepër penale, duke respektuar dinjitetin e secilit individ, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë e të paanshme, përfshirë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të arrestuarit tjerë të sotshëm”. /Albeu.com/
Shtuar më 28/11/2015, ora 18:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori