Ja çfarë shkruan "Der Standard" për situatën në Kosovë
Der Standard - Në Prishtinë çdo gjë është veshur me flamuj. Përveç flamurit shqiptar – shqiponjës së zezë me sfondin e kuq – janë vendosur pllakate që i thërrasin kosovarët të blejnë vetëm produkte shqiptare. Edhe në llambat e semaforëve, shkruar me shkronja të zeza, thirret për bojkot të prodhimeve serbe

28 Nëntori është Dita e Flamurit Shqiptar. Për çdo vit në vitrinat e dyqaneve të rrobave në Prishtinë mund të shihen të ekspozuara rroba ngjyrash kuq e zi. Në rrugën “Nënë Tereza” u mblodhën të shtunën me mijëra kosovarë me flamuj në dorë.

Opozita me flamuj në dorë

“Këta e kanë merituar këtë. Të gjithë janë të korruptuar”, thotë Blerim L., 21-vjeçar, i cili, edhe përkundër shiut të ftohtë i ishte bashkangjitur demonstratës. Studenti i bujqësisë është një adhurues i madh i Albin Kurtit dhe ai e konsideron të drejtë që partia opozitare “Vetëvendosje” po e bllokon punën e Parlamentit.

Vetëvendosje, së bashku me dy partitë e tjera opozitare, AAK-në e Ramush Haradinajt dhe Nisma e Fatmir Limajt, po e bllokon punën e Kuvendit që nga tetori. Argumenti: marrëveshja e lidhur me Serbinë më 2013 është e rrezikshme për Kosovën dhe me marrëveshjen me Malin e Zi për vijën kufitare, Kosova humb 12’000 hektarë tokë. Sa herë fillon votimi, dikush ndez gazin lotsjellës dhe të gjithë detyrohen ta lëshojnë parlamentin.

Kurti një intelektual me “Street-Credibility”

Kurti s’mund të krahasohet me ish- komandantët e UÇK-së Haradinajn dhe Limajn. Ai ishte udhëheqës i studentëve, ai është një intelektual që me dëshirë citon Hegelin dhe bart pulovër me fyt, si ekzistencialistët francezë. Ai ka një koncept të gjerë teorik, me të cilin vite me radhë argumenton kundër prezencës së bashkësisë ndërkombëtare në “kuazikoloninë” Kosovë. Ai nuk është i interesuar si shumë të tjerë për të fituar thjesht pushtet apo para. Kurti ka një si “Street-Credibility”. Dhe megjithatë ai është i përcaktuar për të njëjtat tema sikur edhe luftëtarët e vjetër Haradinaj dhe Limaj. Madje Vetëvendosje është e përcaktuar edhe për projektin e “Shqipërisë së Madhe” të ndaluar me Kushtetutë.

Të shtunën [e kaluar], Kurti u arrestua pas demonstratës. Ai disa ditë më parë kishte hedhur gaz lotsjellës në Parlament. Policia sulmoi zyrat e partisë dhe gjeti aty edhe gaz-maska. Së bashku me Kurtin u arrestuan edhe 90 persona të tjerë.

Aksioni konsiderohet politikisht dhe juridikisht i ndjeshëm, sepse Kurti mund të shndërrohet shpejt në martir. Edhe vetë raportuesja speciale e Parlamentit të BE-së, austriakja e të gjelbërve, Ulrike Lunacek, e kritikon momentin e burgosjes së tij. Burgosja nuk shkon në shërbim as të gjetjes së një zgjidhjeje të krizës politike, thotë Lunacek. Lunacek kërkon nga Qeveria dhe nga opozita të ulen në një tavolinë. Dhuna varros procese të rëndësishme, është e mendimit Lunacek. Burgosja e Kurtit indinjon përkrahësit e tij. Edhe në Tiranë tash po organizohen demonstrata për lirimin e tij, transmeton “Albinfo”.

“Kjo me gazin lotsjellës është një budallallëk”

Para burgosjes, të shtunën, Kurti mbajti një fjalim të zjarrtë në rrugën “Nënë Tereza” në qendër të Prishtinës. Tri vajza, që kishin ikur nga shi-bora dhe ishin strehuar nën strehën e një kulmi, janë po ashtu përkrahëse të tij. Ato shpresojnë se ai do ta ndërrojë sistemin dhe do ta heqë korrupsionin. Ajo që i dallon ato nga demonstruesit e tjerë të gjinisë mashkullore është se ato nuk duan dhunë. “Kjo me gaz lotsjellës është budallallëk, përndryshe çdo gjë tjetër që ai thotë është e drejtë”.

Vetëvendosje adhurohet sidomos nga të rinjtë – e veçanërisht nga studentët. Edhe kryebashkiaku i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është i Vetëvendosjes. Partia mund të krahasohet me partitë e tjera protestuese si atë spanjolle “Podemos” dhe atë greke “Syriza”.

Është krejtësisht e paqartë se si do të zhvillohen më tej ngjarjet. Ashpërsimi i situatës duket më real. /Albeu.com/
Shtuar më 07/12/2015, ora 20:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori