Ja çfarë emrash iu vënë serbët rrugëve në Graçanicë
Komuna e Graçanicës kohët e fundit ka emërtuar disa rrugë, që politikisht nuk janë të sakta dhe nxisin tension ndëretnik.

Rruga kryesore në komunë emërtohet "Kosova e Metohija".

Karshi saj janë emra të tjerë, që i kundërvihen plotësisht synimit të pajtimit ndëretnik.

E këto janë emërtimet “24 Marsi” dhe “17 Marsi”.

E para lidhet me ditën kur Aleanca Veri-Atlantike vendosi të bombardonte caqet serbe, për shkak të dhunës dhe spastrimit etnik në Kosovë.

E dyta “17 Marsi”, lidhet me trazirat që përfshin Kosovën në vitin 2004, ku u vranë 25 njerëz, nga të cilët 21 ishin shqiptarë, transmeton Radio Kosova.

Banorët serbë të Graçanicës thonë se rruga e ka marrë emrin "Kosova e Metohija" për të treguar se "Kosova është ende krahinë jugore e Serbisë".

Edhe pse emërtimet janë tepër të diskutueshme, kryetari i komunës, Branimir Stojanoviq thotë se emërtimet janë bërë pa qëllimin që të nxisin dikënd.

Ligji për emërtimin dhe sistemimin e adresave nuk parasheh ndonjë dispozitë që ndalon emërtimin e hapësirave publike që të mbajnë emra që mund të nxisin urrejtje apo ndasi ndëretnike.

Të paktën jo të definuara saktësisht.

Në këtë mënyrë duket që komuna e Graçanicës nuk ka pasur shumë pengesa për të përdorur terma dhe data të tilla në emërtimin e rrugëve. /albeu.com/
Shtuar më 29/10/2014, ora 14:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori