Popullariteti i frikës: Pse sondazhet ruse mbi Putinin nuk tregojnë të vërtetën

Nga Linda Laura Sabbadini “La Reppublica

Tetëdhjetë për qind e rusëve janë me Putinin? Kjo nuk mund të konsiderohet kurrsesi si një e dhënë e besueshme. Aktualisht nuk është e mundur të matet nëpërmjet sondazheve, se sa i madh është në të fakt konsensusi rreth presidentit rus.

Thelbësore për marrjen e të dhënave cilësore, është fuqizimi i njerëzve për të thënë atë që mendojnë, pa pasur frika nga pasojat e pakëndshme. Në Rusi jetojnë shumë shkencëtarë dhe statisticienë të aftë. Këtë element nuk duhet ta harrojmë kurrë. Ne duhet të kemi respekt maksimal për ta.

Por fakt është se aktualisht Rusia nuk është si Italia, Franca, Shtetet e Bashkuara, ku ka qarkullim të lirë të ideve. Rusisë i mungon një parakusht themelor që rezultatet e sondazhit të konsiderohen të vërteta: demokracia.

Nëse është e ndaluar shprehja e një mendimi që ndryshon nga ai i Putinit, nëse dikush burgoset nëse shprehet një mendim tjetër, atëherë pse një qytetar duhet të thotë atë që mendon realisht në një sondazh? Mungon besimi, prandaj rezultatet e sondazheve në Rusi dëmtohen nga frika, nga frika e të thënit të mendimit të vërtetë përmes telefonit apo internetit.

Dhe këtu nuk bëhet fjalë as për ndonjë keqdashje. Instituti kërkimor që kryen sondazhet, mund të jetë një institut shumë profesionist dhe i pavarur. Por ai nuk mund të marrë përgjigje të sinqerta dhe të besueshme në një diktaturë, dhe veçanërisht në një klimë lufte.

Dhe fakti që thuhet se popullariteti i Putinit po rritet gjatë luftës në Ukrainë, mund të jetë edhe për shkak të intensifikimit të shtypjes të brendshëm në këtë periudhë, dhe rrjedhimisht edhe rritjes së frikës.

Ndërkohë, nuk është i vërtetë as pretendimi që nëse do të kishte armiqësi ndaj Putinit, kjo do të shtonte domosdoshmërisht refuzimin për t’u përgjigjur, siç kanë deklaruar analistët rusë në disa televizione kombëtare. Nëse njerëzit kanë frikë të shprehin një opinion ndryshe nga ai i Putinit, ata me shumë gjasa do të rreshtohen pas qasjes dominuese.

Ky nuk është një problem që ekziston vetëm në Rusi, por vërehet në të gjitha diktaturat. Atij i shtohet problemi se si rusët nuk mund të ndërtojnë opinionin e tyre të pavarur, në një vend ku informacioni është i njëanshëm, ku censurohen zërat kundër, dhe ku vriten gazetarët opozitarë.

Në një vend ku informacioni nuk është plural, përkundrazi ai manipulohet, dhe ku pushtimi i një vendi sovran paraqitet si një “operacion ushtarak për de-nazifikimin”, në të cilin kryhen krime mizore ndaj civilëve ukrainas, duke ua fshehur ato popullatë ruse.

Aty ku shfaqen vetëm pamjet e tankeve dhe autoblindave “çlirimtare” me simbolin Z në krye, dhe ku regjimi i indoktrinon qytetarët si në kohën e fashizmit në Itali apo gjermanët nën Rajhun e Tretë. Në këtë kontekst, a duhet të thonë qytetarët se çfarë mendojnë?

Pse duhet të rrezikojnë jetën e tyre, vetëm për t’iu përgjigjur me vërtetësi një interviste? Ata mund të kenë rënë në grackën e dezinformatave, duke iu përmbajtur planit të Vladimir Putinit. Ka të ngjare që po. Ose ndoshta jo. E sigurt është se ne nuk mund ta dimë këtë gjë sot.

Dhe mbi të gjitha, ta matim atë në një mënyrë rigoroze. Prandaj, duhet të jemi të ndërgjegjshëm se përveç lajmeve të rreme ka edhe shifra të rreme, të cilët duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë. Shifrat e rreme prodhojnë lajme të rreme, të cilat shndërrohen në armë propagandistike, edhe nëse nuk prodhohen për këtë qëllim .

Rezultatet e sondazhit në Rusi, duhet të raportohen kur të jenë të vlefshme. Dhe në këtë fazë, nën diktaturë dhe në mesin e një lufte, ato nuk mund të jenë të tilla. Shumë lajme të rreme kanë dalë nga Rusia kohët e fundit, siç janë verifikuar nga shumë korrespondentë të luftës në Ukrainë.

Ndaj le të mos i japin besueshmërisë të dhënave të rreme dhe dezinformacioneve, që i kemi njohur që në kohën e Stalinizmit. Të vërtetën mbi atë që mendojnë rusët përmes sondazheve, do ta dimë vetëm kur ata të jenë të lirë të përgjigjen siç duan. Vetëm kur në Rusi të shkëlqejë “dielli” i së ardhmes, pra liria dhe demokracia./abcnews.al

Shënim:Linda Laura Sabbadini, drejtore e Departamentit të Metodave dhe Teknologjive në insitutin italian të statistikave, ISTAT.