Ivanoviç: Ndalimi i Daçiç, veprim jodemokratik
Pëlqej
Kandidati për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Oliver Ivanoviç, ka thënë se ndalimi i vizitave të kryeministrit Ivica Daçiç në Kosovë gjatë fushatës është një veprim jodemokratik. Në një deklaratë për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, Kryetari i “Iniciativës Qytetare Serbia, Demokracia, Drejtësia”, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës do të ketë “pasoja të paparashikuara” në mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Megjithatë, Ivanoviç ka kritikuar edhe qasjen e Qeverisë së Serbisë ndaj subjekteve politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës, pasi që Beogradi po favorizon “Listën Qytetare Serbe”. “Apelojmë te Daçiç që të mos krijojë përçarje mes serbëve të Kosovës duke i dhënë mbështetje vetëm një liste”,-tha ai.

Sipas tij, të gjithë serbët që marrin pjesë në këtë proces zgjedhor janë “qytetarë besnikë të Serbisë”, të cilët e kanë pranuar ftesën e Qeverisë në Beograd “për të përmirësuar pozitën e popullit serb në Kosovë”./albeu.com/
Shtuar më 03/10/2013, ora 17:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori