Çelet ekspozita pa titull, pse duhet të shkoni patjetër “TE’ Galeria”

Nga Enkeleda Bodini

Në Tiranë dhe vend, ka plot të rinj që janë të lidhur ngushtë me artin dhe përmes tij shprehin botëkuptimin e tyre. Të tillë janë dhe 7 të rinj që përmes pikturës i tregojnë botës se ka plot mënyra për tu shprehur si ndihesh dhe çfarë po përjeton, pa folur.

Së fundmi, Tirana Ekspres ka çelur  TE’Galeria ekspozitën me artistët  e rinj Resina Meçani, Kristian Zara, Albi Yzo, Enea Ziu, Edinjo Jahja, Herta Pataj, Stefania Balla, e cila do t’i ketë dyert e hapura deri më 4 Prill.

Në një intervistë për albeu.com, piktorja Resina Meçani u shpreh se ekspozita, me kurator Andi Tepelenën, është pritur mirë nga artdashësit.

Secila nga pikturat, kryesisht të punuara me vaj në kanavacë, shprehin ndenja të ndryshme.

“Akti i fundit”, titullohet njëra prej tyre, që tregon përmes ngjyrës  Teatrin Kombëtar që u shemb më 17 maj 2020, apo “Mendësi Konceptuale 2” një tjetër pikturë që shpreh koncepte të vet mendjes njerëzore.

“Frut Market” është një tjetër pikturë e punuar nga Resina, e cila e përshkruan kështu punimin e saj:

“Ndryshova rutinë e mendova se kishte ndryshuar dhe qyteti bashkë me mua. Por kuptova se në fakt qyteti e ka pasur gjithmonë këtë anë. Një qetësi e pazakontë për një qytet që gumëzhin gjatë gjithë kohës. Kuptova se nuk e njihja dhe aq mirë. Lëvizjet e makinave e të njerëzve ishin rralluar. Çdo gjë ishte pakësuar duke ia lënë vendin dritave. Dritat nga dritaret përcaktonin numrin e kateve të ndërtesave duke ia lënë vendin njëra-tjetrës nën një lojë të fshehtë midis tyre.

Në gjithë këtë situatë  gjithsesi jeta vazhdonte, edhe pse më e qetë. Ajo që më bënte më tepër përshtypje ishin tregjet e fruta dhe perimeve.  Fillova të pyes veten se kush i përcakton shumë procese të jetës që në mendje i kemi të vizatuara ndryshe. Kush e përcakton se kur duhen ndezur e fikur dritat e dhomës apo në cilën orë duhet të bësh pazar? Sa e kemi ne në dorë ta përcaktojmë procesin e rutinës tonë? Sa jam unë e aftë të krijoj rendin që më përshtatet?”.

Përveç pikturave të teknikës vaj në kanavacë, nuk mungonin as ato të teknikës dry point dhe pen në letër, të punuara nga Herta Pataj dhe Stefania Balla, që shprehin ndjenjën e iluzionit, vetmisë, dyshimet etj.

Në fakt, të flasësh për artin është disi e vështirë, pasi të gjithë kanë mënyrën e tyre sesi e kuptojnë dhe interpretojnë dhe kjo është një arsye më shumë pse ju duhet të shkoni vetë “TE’ Galeria” për të parë nga afër pikturat shumë të veçanta dhe të punuara me plot pasion nga të rinjtë që zgjedhin të jetojnë në një botë që është kaq e bukur, por që pak jetojnë në të./albeu.com

 


Shtuar 31.03.2022 14:22