Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Trump: Shkëmbimin territorial ma kërkuan Thaçi dhe Vuçiç
Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare i Presidentit amerikan Donald Trump, John Bolton, ka reaguar në lidhje me deklaratën e emisarit të SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, i cili tha se shkëmbimi i territorit mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka qenë ideja e Presidentit Trump, por e Bolton.

Vetë Bolton e ka mohuar të ketë propozuar diçka të tillë dhe ka vendosur të tregojë hapur se kush e bëri në të vërtetë i pari propozimin që bëri aq zhurmë. Bolton e ka pranuar se ka qenë i informuar për këtë çështje, por ka shprehur edhe habi për mënyrën sesi ka reaguar Europa dhe opinioni publik në secilin vend.

Bolton tha se propozimi për territoret ishte ide e Presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë, përkatësisht Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiçit, pavarësisht se ai nuk i përmendi në emër. Bolton ka folur në media gjithashtu edhe për frikën e disa vendeve të BE-së që të pranonin ndarjen e Kosovës, ndërsa ka përmendur impaktin dhe tentativat e Rusisë për të pasur ndikim në Ballkan.John-Bolton

Ish-zyrtari i lartë i Pentagonit e ka konsideruar dështim mosarritjen e zhvillimit të takimit të nivelit të lartë në Uashington më 27 qershor, edhe pse ka qenë i bindur se në të nuk do të arrihej asnjë marrëveshje, por do të ishte vetëm një shans për të bërë dy fotografi.

“Nuk ka qenë ideja ime shkëmbimi i tokave, janë liderët e Kosovës dhe Serbisë që e kanë kërkuar. Mendoj se kisha ndikim, mendoja që duheshin marrë disa hapa në Ballkan dhe Europën Lindore, e para për të ulur implikimin dhe ndikimin e Rusisë, që ishte duke u përpjekur që ata të sillnin aromën e luftës së ftohtë.

Në radhë të parë, ishte Ukraina në rrezik. Polonia dhe Bjellorusia ishin me mua. Në Ballkan thashë se rreziku mbetej me mosmarrëveshje të pazgjidhura, tokë pjellore për dikë që do të mund të krijojë konflikte. Rezoluta për emrin e Maqedonisë ishte arritje e madhe”, u shpreh Bolton, duke folur për situatën në përgjithësi.

“Mendova të përpiqeshim që të bënim një progres në Kosovë. Takimi në Uashington mes Serbisë e Kosovës nuk prodhoi marrëveshje, unë qëndrova jashtë. Më shqetëson, se nga takimet do ishte një mundësi për fotografi dhe jo më shumë se aq. Takimi dështoi edhe për foto. Duke qenë i vëmendshëm për ndërhyrjet ruse, për mua, Amerikën, por edhe europianët, duhej vëmendje ndaj situatës.

Që në 2018 pati ndikime mbi Serbinë e Kosovën. Liderët e Serbisë dhe Kosovës donin t’i zgjidhnin këto çështje mes tyre, pasi nuk mund të kishte zhvillim ekonomik me mosmarrëveshje. Shumë kontroverse brenda dy vendeve”, tha ai duke iu referuar edhe takimit të dështuar të 27 qershorit në Uashington.

“Një nga gjërat që do të diskutonim ishte këmbimi i tokave, por në Ballkan dhe Europë u prit me kundërshtime, pasi kishin frikë se një shkëmbim tokash atje mund të ndodhte edhe në Europë gjetkë. Kjo ka ndodhur në histori, diçka me të cilën duhet të jetoni, ta pranoni. Nëse Kosova dhe Serbia do ta kishin arritur marrëveshjen dhe do të ishte një pjesë e saj shkëmbimi i tokave dhe një pjesë e BE-së do ishte kundër, a do ta kundërshtonte vallë? Kjo nuk do ndodhte. James Beker dikur pati thënë se vetëm palët mund të marrin vendime, ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë”, tha Bolton për “Fokus”.

GRENELL IA “DELEGOI” IDENË BOLTONIT

Takimi i dështuar i 27 qershorit në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë u përfol shumë fort për përgatitjen e një marrëveshjeje, ku do të nënshkruhej shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, një marrëveshje e shpejtë, të cilën shumë e komentuan se e kishte kërkuar Presidenti Donald Trump, për të shënuar një fitore në politikën e jashtme para zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Ky propozim mbeti në emrin e Amerikës, pasi kur u shpall nga Thaçi dhe Vuçiç, ishin pikërisht zërat nga Shtëpia e Bardhë që komentuan se nuk ishin kundër propozimit të zgjidhjeve të reja nëse palët binin dakord, por gjithashtu sqaruan se nuk do të pranonin të nënshkruanin “një çek të bardhë”, pra çdo propozim të mundshëm. Fraza “nuk jemi kundër” u përdor nga propozuesit e kësaj marrëveshjeje si “mbështetje” e Trump për korrigjimin e kufijve, apo shkëmbimin e territoreve. Por pas zhurmës së fundit, emisari për dialogun në emër të SHBA-së, Richard Grenell, tha se ideja nuk ka qenë aspak e Presidentit Trump, por ata e kanë dëgjuar në Shtëpinë e Bardhë nga John Bolton. Grenell siguroi se Presidenti Trump nuk qëndron pas idesë së ndarjes së Kosovës.

Berisha: “Bomba” e Bolton, ja pse u shpërfytyrua Rama

Ish-Kryeministri Berisha, duke komentuar deklaratën e Këshilltarit të Presidentit Trump, John Bolton, për shkëmbimet e territorit mes Kosovës dhe Serbisë, akuzoi pasardhësin e tij dhe Presidentin e Kosovës.

“Miq, po e postoj per ata që nuk e kanë të qartë se pse aktakuza për Miladinin shqipfolës shpërfytyroi Zografin Bis dhe pse ajo aktakuzë ishte shpëtimtare për Kosovën dhe kombin shqiptar”, shkruan Berisha në “Facebook”, duke e shoqëruar me pjesë nga intervista që Bolton dha për “Fax news”. “Ish-Këshilltari për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, vendos më në fund të flasë pa dorashka. Ambasadori i karrierës ka vënë gishtin për të treguar ideatorët e vërtetë të idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka përmendur me emër Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiçin si ideatorë të një projekti që ai nuk e ka kundërshtuar. “‘Nuk ka qenë ideja ime shkëmbimi i tokave, janë liderat e Kosovës dhe Serbisë që e kanë kërkuar’, ka thënë ai për emisionin ‘Fokus’ të gazetarit Robert Papa”, shkruan Berisha. Ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, mbështeti deklaratën e ish-këshilltarit të Presidentit Trump për Kosovën e Serbinë.

Bolton i hoqi ‘petët’ konspiracionit antishqiptar. Ai jo vetem perforcoi çfarë Grenell tha për mosqenien e SHBA autore të atij plani të rrezikshëm, jo vetëm për shqiptarët, por dhe per rajonin apo dhe kundërshtinë e tyre, por zbuloi të vërtetën e rëndë për disa shqipfolës, si Thaçi &Co, qenien e tyre si tellallet e Vuçiç”, shkruan Shehu.
Shtuar më 06/07/2020, ora 08:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori