Ish-bashkëpunëtori i Thaçit reagon ashpër ndaj Sali Berishës
Në një debat televiziv, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka akuzuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, se ka bërë argatin e Serbisë, kur ka pranuar që të mbajë në dorë flamurin e ‘Serbisë së Madhe’, në tentim e sipër për të shtyrë përpara idenë për korrigjim të kufijve.

Këto deklarata të Berishës janë bërë në emisionin ‘360 gradë’, në debat e sipër për akuzat dhe kundër akuzat mes shqiptarësh për tradhti.

E ndaj këtyre deklarimeve të Berishës ka reaguar një zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili ka qenë bashkëpunëtori më i afërt i Thaçit gjatë kohës që ky i fundit ka drejtuar PDK-në.

Hoxhaj ka thënë se bazuar në bashkëpunimin që ka pasur me Berishën gjatë kohës që ka mbajtur pozita të ndryshme në Qeverinë e Kosovës, ka pasur vlerësim se Berisha është një njeri i parimeve dhe i të vërtetës. Megjithatë sipas tij deklarime e tij të fundit, thotë se po e rrënojnë kontributin që e ka dhënë në të kaluarën për Kosovën.

“Çdo herë kam pasur konsideratë të lartë për Sali Berishën, si një politikan me të cilin kam bashkëpunuar në pozita të ndryshme që kam mbajtur në Qeverinë e Kosovës. E kam parë si njeri të parimeve, të së vërtetës dhe të virtytit. Mjerisht, pikëpamjet e tij të kohëve të fundit me frymë përçarëse dhe me ngjyra të errëta për t’i bërë akuzat e tij të padrejta dhe sinqeritetin selektiv të duken të vërteta, janë koncentrat i hipokrizisë dhe po e rrënojnë kontributin e tij dhënë në të kaluarën për Kosovën”, ka shkruar Hoxhaj në profilin e tij zyrtar.

Hoxhaj thotë se Berisha po mundohet që të bartë politikën ditore të Shqipërisë edhe në Kosovë, duke caktuar me një mendësi totalitare se kush është tradhtar e kush hero.

“Fatkeqësisht, debatin e politikës ditore në Shqipëri po përpiqet ta bartë edhe në Kosovë, duke shprehur një mendësi totalitare për ndarjen se kush është tradhtar dhe hero”, është shprehur zyrtari i lartë i PDK-së.

Në fund Hoxhaj thotë se për konsolidimin e Kosovës dhe Shqëipërisë, duhet një bashkëpunim ndërshqitparë.

“Përmbyllja e shtet-ndërtimit të Kosovës me njohje të ndërsjellët Kosovë – Serbi dhe me ulëse për Kosovën në OKB është konsolidim i jashtëm edhe i Shqipërisë dhe një faktor i fuqizimit të shqiptarëve në rajon. Për tema të tilla Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për një dialog ndërshqiptar”, ka përfunduar Enver Hoxhaj.

Berisha në këtë emision ndër të tjera ka thënë se ideja e korrigjimit të kufijve është një ide e vjetër serbe, të cilën dështuan ta realizojnë treshja Rama-Thaçi-Vuçiq.

Sipas ish-kreut të shtetit shqiptar, ideja për copëtimin e Kosovës është varrosur në Berlin, në Samitin e ftuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron.
Shtuar më 07/05/2019, ora 16:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori