Isa sërish kandidat në Prishtinë
Të paktën tri nga pesë Degët e LDK'së në Prishtinë e kanë përgatitur emrin e Isa Mustafës për ta propozuar për Kryetar të Prishtinës para organeve partiake.

Burime të Express kanë thënë se Lideri i LDK'së pritet të propozohet zyrtarisht pasi të përfundoj raundi i parë i zyrtarizimit të kandidaturave të kësaj partie për kryetar të komunave.

"Sipas të gjitha gjasave Isa Mustafa do të jetë përsëri kandidat i LDK's për Kryetar të Prishtinës", ka thënë një anëtar i Kryesisë së LDK'së.

Pa dashur t'i përmendet emri, ai ka thënë se Mustafa do të përsërit veprimin që pati bërë në zgjedhjet e vitit 2010, kur si Kryetar i Prishtinës pati konkurruar edhe për zgjedhjet e përgjithshme.

Burime të Express kanë thënë se Lideri i LDK'së po e sheh si rrezik të shkoj me ndonjë emër të ri në zgjedhjet lokale në Kryeqytet për shkak të garës së ashpër që pritet të zhvillohet mes partive.

Deri më tash prej zyrtarëve të LDK'së janë përmendur si kandidatë të mundshëm për të udhëhequr me Kryeqytetin: Ismet Beqiri, Korab Sejdiu, Hashim Deshishku dhe Haki Demolli.

Megjithëkëtë, Nënkryetari i LDK'së, Haki Rugova thotë se ende është herët të flitet për kandidaturën e Prishtinës.

"Jo, zyrtarisht ende s'ka ardhur asnjë propozim nga Degët e Prishtinës", ka thënë Rugova, për Expres.

Sipas tij, Lideri i LDK'së mund të jetë kandidat për Prishtinën, por së pari duhet të bëhen llogaritë në parti e pastaj të vendoset.

"E mundshme është që Isa Mustafa të jetë kandidat. Nëse Degët e Prishtinës mendojnë se ai duhet të jetë akoma Kryetar, atëherë duhet të respektohet një vullnet i tillë. Por, edhe z.Isa Mustafa duhet të merr përball vullnetin e LDK'së në tërësi në Kosovë", ka thënë Rugova. /albeu.com/
Shtuar më 17/06/2013, ora 11:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori