Isa Mustafa konfirmon takimin me Albin Kurtin, do arrihet marrëveshja?
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka konfirmuar se gjatë ditës së sotme do të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Mustafa është shprehur optimist se marrëveshja me Albin Kurtin mund të arrihet përfundimisht sot shkruan ekspress.

“Jam i përkushtuar që të ketë marrëveshje sot, sepse nuk ka kuptim që të vazhdojmë kështu. Po bëjmë përpjekje”, ka thënë ai për mediat.

Takimi i sotëm i Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, që akoma nuk dihet në cilën orë do të mbahet, vjen pas përfundimit të afatit të ultimatumit që kreu i LDK-së i dha Lëvizjes Vetëvendosje.

Prej zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë negociuar për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje por pa sukses.

Bisedimet kanë ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve për ndarjen e posteve, fillimisht atë të presidentit dhe më pas edhe të kryeparlamentarit.

Në ofertën e fundit publike që LDK-ja i bëri Lëvizjes Vetëvendosje i ka kërkuar kësaj të fundit që të heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit në vitin e parë të bashkëqeverisjes.

LDK-ja ka ofruar që pas një viti, kur ta ketë postin e presidentit me përfundimin e mandatit të Hashim Thaçit, t’ia kthejë postin e kryeparlamentarit Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, Vetëvendosja e Albin Kurtit ka thënë se nuk do të heqë dorë nga posti i kryeparlamentarit të cilin e mban Glauk Konjufca.

Në ndërkohë, afati kushtetues prej 15 ditësh është duke rrjedhur pasi presidenti Hashim Thaçi e ka mandatuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtin, si fituesi zgjedhjeve, për formimin e qeverisë.

Afati i fundit kushtetues për formimin e qeverisë në krye me Albin Kurtin është 4 shkurti.
Shtuar më 27/01/2020, ora 13:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori