Isa Mustafa dërgohet me urgjencë në Gjermani
Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili po vuan nga një grip, i është komplikuar gjendja shëndetësore.

Gazeta Express ka mësuar se ish-kryeministri i vendit, i cili është i shtrirë që disa ditë në Spitalin Amerikan në Prishtinë, tani do të dërgohet për shërim në Gjermani. Mustafa aktualisht është i palëvizshëm, për shkak të problemeve shëndetësore.

Ish-Kryeministri Isa Mustafa ka një javë që është shtrirë në Spitalin Amerikan në Prishtinë. Pak informacion është dhënë nga partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe nga familja për shëndetin e Mustafës, pos që përmes një komunikate është kumtuar se ai është shtrirë në spital si pasojë e gripit.

Megjithatë, gjendja shëndetësore e liderit opozitar është pak më serioze – sesa një grip i zakonshëm sezonal. Gazeta Express ka mësuar se ish-Kryeministri nuk është ne rrezik jete, mirëpo, për shkak te trajtimit me vonesë të gripit, gjendja shëndetësore i është komplikuar seriozisht.

Ai nuk është në gjendje të lëvizë, ndërsa për t’u rehabilituar plotësisht duhet të kalojnë muaj të tërë.

Sipas burimeve të besueshme të Gazetës Express, ish-kryeministi i vendit do të dërgohet për shërim jashtë vendit.

Mustafa do të shtrohet në një spital të Gjermanisë, deri në përmirësim të gjendjes së tij.

Gazeta Express ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të LDK'së lidhur me shëndetin e Mustafës, por nuk ka arritur të flasë me ndonjërin.

Por, sipas burimeve të gazetës, mjekët dyshojnë se Kryetari i LDK’së është prekur nga sindoroma “Guillain-Barré syndrome”.

Trajtimi i kësaj sëmundjeje, për njerëzit që nuk kanë aktivitet të fortë fizik, apo për ata të cilët janë më në moshë, është shumë i vështirë dhe sëmundja mund të lë pasoja.

Burimet kanë thënë për Gazetën Express se mjekët janë duke kërkuar shkakun e kësaj gjendjeje dhe ndër shumë dyshimet e tyre se çka ka mundur ta shkaktojë këtë gjendje te Mustafa është edhe një sindromë shumë e rrallë.

Sipas këtyre burimeve, mjekët dyshojnë që Mustafa mund të jetë prekur edhe nga “Guillain-Barré syndrome” (GBS).

Sindroma GBS është një çrregullim në të cilin sistemi imunitar i trupit sulmon një pjesë të sistemit nervor periferik.

Simptomat e para të këtij çrregullimi përfshijnë shkallë të ndryshme të dobësisë ose ndjesive. Këto simptoma mund të rriten me intensitet derisa muskuj të caktuar nuk mund të përdoren fare dhe, kur është e rëndë, personi është pothuajse tërësisht i paralizuar.

Një individ i tillë shpesh vihet në një ventilator për ta ndihmuar me frymëmarrje dhe është parë nga afër për probleme të tilla si rrahje jonormale të zemrës, infeksione, mpiksje të gjakut dhe presion i lartë ose i ulët të gjakut.

Shumica e individëve, megjithatë, kanë shërim nga kjo sindomë, edhe pse disa vazhdojnë të kenë një shkallë të caktuar të dobësisë.
Shtuar më 14/01/2018, ora 19:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori