Isa është racional
Hajredin Kuçi konsideron se deklarata e Kryetarit të LDK'së, Isa Mustafës që e lë të hapur mundësinë e një koalicioni me PDK'në, është racionale. Në një intervistë për Express, Nënkryetari i PDK'së thotë se përvoja e ka dëshmuar se në Kosovë mund të bashkë-qeverisë secili me secilin.

Express: Cili është vlerësimi i juaj pas deklaratës së Lideri të LDK'së, Isa Mustafa, i cili nuk e përjashtoi PDK'në për një koalicion pas zgjedhjeve të ardhshme?

H. Kuçi: Mendoj se është mendim racional i secilit prej neve. Logjika në Kosovë nuk duhet të jetë përjashtuese, por ajo duhet të jetë përafruese. Edhe Partia Demokratike e Kosovës me cilindo subjekt që mund të përafron programin e vet nuk e ka asnjë telashe edhe të qeverisë ngase gara është për parti politike ndërsa shërbimi do të jetë për qytetarë.

Express: Pse mendoni se ka ndryshuar qëndrimi i Kryetarit të LDK'së? Ka ndikuar afërsia e tij me zyrtarët e PDK'së?

H. Kuçi: Unë dua të them se mbi njëzetë vite e kam mik. Por, kjo nuk ma ndërron qëndrimin politik për LDK'në dhe as s'më përafron. Në këtë vend interesi nacional e kërkon që në vend të konfliktit me pas bashkëpunim. Dhe, është parë se në këtë vend bën secili me secilin. Por, kjo çështje hapet dhe debatohet në partitë politike. Partia Demokratike çdoherë e ka lënë të hapur për secilën parti të bashkëpunoj.

Express: Sa mund t'i kontribuojë një koalicion PDK-LDK Kosovës?

H. Kuçi: Ju e dini, se ata që kanë fuqi më të madhe politike, kanë edhe përgjegjësi më të lartë dhe fuqi për ndryshime pozitive. Natyrisht, që këto momentalisht janë dy partitë më të mëdha në vend. E kanë përgjegjësinë më të madhe, por e kanë edhe fuqinë më të madhe për t'i ndryshuar gjërat.

Express: Përvoja ka treguar se nuk i keni pasur punët mire kur keni qenë në bashkëqeverisje me LDK'në?

H. Kuçi: Jo, përvoja ka treguar se kur kemi qenë bashkë është bërë shteti i Kosovës. Edhe unë besoj se nuk prejudikojmë se a do të jetë koalicion i ardhshëm i përbashkët apo jo. Për këtë vendosin partitë politike, por sipas kësaj logjike ne nuk kemi qëndrim refuzues ndaj asnjë subjekti politik.

Express: A pret PDK që në të ardhmen të ketë partner të koalicionit LDK'në?

H. Kuçi: PDK pret që të jetë partia e parë në vend dhe pastaj të bëj koalicion me çdo subjekt politik që mund t'i përafrojë programet dhe mund të jep garanca qeverisëse. Asnjë parti politike për PDK'në nuk është përjashtuese. PDK nuk ka logjikë përjashtuese për asnjë prej partive politike.

Express: Kur pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare?

H. Kuçi: Ne do të vendosim në bashkëpunim me partitë politike, por viti i ardhshëm është vit real për mbajtjen e zgjedhjeve. /albeu.com/
Shtuar më 17/05/2013, ora 16:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori