Investimet e BB, Kurti takohet me Jan-Peter Olters
Zhvillimet kryesore ekonomike në Kosovë dhe roli i projekteve të Bankës Botërore në këto zhvillime, kanë qenë temë kryesore e bisedimeve që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pati sot me përfaqësuesin e Bankës Botërore në Kosovë, Jan-Peter Olters.



Përfaqësuesit e VV-së prezentuan alternativën Qeverisëse, duke u përqendruar në modelin zhvillimor për Kosovën. Sipas këtij projekti, shteti shihet si institucion aktiv në zhvillimin ekonomik të vendit, i cili përmes strategjisë zhvillimore orienton ekonominë e vendit drejt rritjes së kapaciteteve prodhuese, konkurruese, dhe rritjes së punësimit dhe cilësisë së punësimit për qytetarët e Kosovës.

Rritja ekonomike e cila nuk i përfshinë të gjitha shtresat e shoqërisë shndërrohet në rritje të hendekut mes të varfërëve dhe pasurëve. Sipas modelit tonë ekonomik dhe të shtetndërtimit, rritja ekonomike përkthehet në përmirësim të mirëqenies përmes rritjes së përfshierjes së qytetarëve në sektorin e ekonomisë duke rritur punësimin, duke rritur përfitimin për bujqit, duke përmirësuar cilësinë e arsimit dhe shëndetësisë, dhe duke zhvilluar dhe përmirësuar mekanizmat e solidaritetit institucional për siguri sociale në ndihmë të atyre që kanë nevojë për ndihmën e shoqërisë.

Në këtë takim po ashtu u diskutua edhe për zhvillimet konkrete në fushën e energjisë dhe minierave, me theks të veçantë në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Miniera dhe Minerale i cili aktualisht është u diskutuar në lexim të dytë në Kuvend. Vërejtja kryesore në këtë projektligj është te Neni 14 i cili e ndryshon paragrafin 7 të Nenit 18 të Ligjit bazik, përmes të cilit kërkohet Qeveria fiton të drejtën që ta suspendojë procedurën konkuruese për një investitor të caktuar në rezervat e mineraleve energjetike në Kosovë, me kusht që këto të konsiderohen investime të konsiderueshme apo të jenë të lidhura me sigurinë e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.


Një vendim të tillë qeveria obligohet që formalisht ta kalojë nëpër Kuvend. Vërejtja jonë në këtë nen është e dyllojtë: gjerësia në të cilin aplikohet një përjashtim i tillë i procedurave është e papranueshme për shkak se në Kosovë praktikisht çdo investim mund të vlerësohet i konsiderueshëm, gjë që do t’ia hap dyertë qeverisë për një mori kontratash një burimore për mineralet energjetike të Kosovës; duke e pasur parasysh që mineralet energjetike në Kosovë janë të një rëndësie strategjike afatgjate për zhvillimin e Kosovës, kontrolli demokratik mbi to duhet të jetë sa më i gjerë, gjë që nënktupton se ato duhet të mbesin në pronësi publike dhe t’i shërbejnë interesit të përgjithshëm. Kjo sigurohet më së miri përmes krijimit të Korporatës së Thëngjillit të Kosovës e cila do ta kishte të drejtën ekskluzive të nxjerrjes dhe menaxhimit të këtyre mineraleve. Në kushtet aktuale një kontroll më cilësor demokratike do të ishte votimi i cilësuar në Kuvend kur për vendime të tilla strategjike do të kërkoheshin 2/3 e votës së deputetëve për ta mundësuar zbatimin e një vendimi të tillë.

Ndërsa Olters paraqiti disa projekte të Bankës Botërore të cilat do të vijnë për miratim në Kuvend në mesin e këtij viti, e që kanë të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së mjedisit në Kosovë si dhe me investime në sektorin e bujqësisë. /albeu.com/
Shtuar më 26/02/2013, ora 17:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori