Integrimi i Ballkanit Perëndimor, skenarët e Brukselit
Pëlqej
Ambicia greke për të përcaktuar në vitin 2014 datat e anëtarësimit në Bashkimin Europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, është injoruar zyrtarisht nga vendet anëtare. “Deklarimi i datave do të ishte krejt e panevojshme. Ato do të mund të përdoreshin nga forcat politike në Ballkan për qëllime fushate”, u shpreh një burim zyrtar për “Euobserver”.

Gjithsesi nisma greke ka hapur një debat për të ardhmen e zgjerimit. Zyrtarët europianë insistojnë se këto vende mund të përfitojnë vetëm bazuar mbi meritat individuale. Sipas analistëve ka shumë pak gjasa që të përsëritet pranimi në bllok i vitit 1986 me rastin e Spanjës dhe Portugalisë; treshes së vitit 1995 me Suedinë, Finlandën dhe Austrinë apo anëtarësimi në vitin 2007 i Rumanisë dhe Bullgarisë.

Skenari i integrimit të vendeve të Ballkanit sipas burimeve diplomatike do të varet shumë nga ritmi me të cilin do të ecë Serbia në bashkëpunimin e saj me Gjykatën e Hagës, ashtu sikurse aftësia e lidershipeve në Shqipëri dhe Bosnje për të ecur përpara. Problem mbetet edhe çështja e konfliktit Maqedoni-Greqi për emrin, ashtu sikurse tema e Kosovës. Ekziston një mundësi që pranimi i vendetBallkanit të kalojë në të njëjtën fazë si liberalizimi i vizave, ku në bllokun e parë të afrohen Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi dhe më pas Bosnje Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova.

“Nëse Serbia do të vonojë sërish me arrestimin e Ratko Mlladiç dhe bllokada do të zgjasë, shanset për një pranim në grup do të zvogëlohen”, tha një diplomat nga vendet anëtare të BE-së. “Në një rast të tillë do të kemi proces individual pranimi për secilin shtet”, vijoi ai. Nëse Serbia do të arrestojë Mlladiçin përpara fundit të vitit të ardhshëm dhe nëse ndërmerr hapa konstruktiv në raport me Kosovën, ka një perspektivë realiste, për t’u përfshirë në familjen europiane Serbia dhe Mali i Zi.

Në skenarin më të mirë, të gjitha vendet e Ballkanit, përjashtuar Kosovën, do të mund të nisin negociatat e pranimit në vitin 2012. “Shkupi, Sarajeva, Podgorica dhe Tirana duhet të jenë të informuara që Serbia po i ndjek në perspektivën e integrimit europian, duke zgjidhur problemet me Tribunalin e Hagës dhe Kosovën”, tha një zyrtar europian me eksperiencë mbi Ballkanin. Nëse vendet e tjera nuk do të jenë gati në momentin që Beogradi do ta bëjë këtë, atëherë do të ndodhë si në rastin e Kroacisë. “Beogradi mund të jetë treni për vendet e tjera të rajonit, por vetëm nëse ato janë gati të hipin teksa ky tren do të niset”, - tha zyrtari.
Shtuar më 30/11/2010, ora 13:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori