Institucionet e Kosovës janë të durueshme se suan rezultat
Hajredin Kuçi
Zëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi iu përgjigj të mërkurën deklaratave të zyrtarëve të huaj rreth asaj se Qeveria duhet të jetë më atraktive për qytetarët serb në veri, duke vlerësuar se kjo është e vështirë për Qeverinë e Kosovës me gjithë faktin se ekzekutivi po punon në këtë drejtim, pasi qytetarët atje udhëhiqen nga grupe në emër të nacionalizmit të rrejshëm.

Kuçi në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, tha se institucionet e Kosovës janë të durueshme në raport me aksionet e KFOR-it në veri, për shkak se përfundimi i gjithë kësaj do të jetë garantimi i lirisë së lëvizjes në këtë pjesë.

Qëllimi i parë sipas tij është zhbllokimi i rrugëve dhe lëvizja e lirë si dhe dërgimi para drejtësisë të atyre që kanë uzurpuar pjesën veriore të Mitrovicës.

Kuçi ka mohuar zërat për një Ahtisaari plus, duke thënë se zgjidhja në veri do të bëhet përmes Pakos së Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës. Sipas tij, Qeveria ka synim zbatimin e këtyre dy dokumenteve atje.

Ndryshe, ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, ka thënë të mërkurën në Mitrovicë se me dialog duhet zgjidhur krizën për pikëkalimet kufitare dhe se Prishtina duhet ta përforcojë praninë në pjesën veriore të Kosovës.
Shtuar më 09/11/2011, ora 15:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori